Numri i të punësuarve në industrinë përpunuese u rrit me 7.9 % në tremujorin e tretë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015.
Sipas anketës së publikuar së fundmi nga Instituti i Statistikave (INSTAT), “Statistikat afatshkurtra të ndërmarrjeve ekonomike” për tremujorin e tretë 2016, ndryshimi vjetor i numrit i të të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet që operojnë në aktivitetin “Industri”, ku përfshihen industria nxjerrëse dhe përpunuese, shënoi një rritje 4,8 %.
Ky tregues, vërehet nga të dhënat e INSTAT-it, paraqitet me rritje edhe në aktivitetet “industri përpunuese” me 7,9 %. Në aktivitetin “grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” numri i të punësuarve u rrit me me 4,0 %, ndërsa në aktivitetin “energji elektrike, gaz, avull” numri i të punësuarve shënoi rritje prej 0,8 %.
Edhe krahasuar me tremujorin e dytë të këtij vitit, numri i të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet e aktivitetit “industri” u rrit me 0,8 %./a.m.