Për Sirinë nuk ka zgjidhje ushtarake, përbetohen politikanë perëndimorë prej vitesh. Presidenti rus, Vladimir Putin, personi i favorizuar prej tij, Bashar Al-Assad dhe aleatët e tij iranianë dhe libanezë me sa duket e shohin këtë ndryshe: pasi e bënë të vuajë nga uria me javë të tëra Lindjen e Aleppos, duke e bombarduar vazhdimisht, forcat e regjimit dhe njësi shiite aleate me to tani janë nisur që të marrin lagjet e fundit të mbajtura nga kryengritësit në metropolin e dikurshëm ekonomik. Për fatin e njerëzve atyre aq u bën. Rëndësi për ta ka vetëm fitorja ushtarake dhe demoralizimi i kundërshtarit.
Po SHBA dhe Bashkimi Evropian çfarë bëjnë? Praktikisht asgjë! Perëndimi paralajmëron dhe dënon, thërret konferenca, vë në rrugë rezoluta. Por në të vërtetë ai vetëm bën sehir. Rënia e Aleppos që po përvijohet është nga ky shkak një shpallje tjetër falimentimi politik dhe moral të politikës së Perëndimit ndaj Sirisë. Dhe të duket gati si qesharake, që t’i akuzosh Putinin dhe Assadin se po shfrytëzojnë aktualisht në mënyrë të ndërgjegjshme një vakum pushteti të krijuara nga zgjedhjet presidenciale në SHBA. Për këtë ata nuk kanë nevojë! Barack Obama nuk është kthyer në “lame duck” me fitoren e Donald Trumpit. I tillë ai ka qenë gjithmonë.
Nuk është krijuar vakum i ri pushteti
Obama donte të pengonte në Siri gabimet fatale, të cilat i patën shpëtuar paraardhësit të tij George W. Bush në Irak. Me këtë premisë vetëm të supozuar pacifiste, Obama e bëri veten dhe të gjithë Perëndimin bashkëfajtor në tragjedinë siriane. Sepse kjo inkurajoi para së gjithash Rusinë dhe Iranin, por edhe aleatë jo të sigurtë të SHBA në politikën e jashtme si Arabinë Saudite dhe Turqinë, që ta shndërrojnë Sirinë në një fushë beteje të interesave të tyre të ngarkuar me fe dhe etni.
Një rrugëdalje nga spiralja e urrejtjes dhe e dhunës, megjithë zhvillimet më të fundit nuk duket, po kaq pak po përvijohet ndonjë “zgjidhje” e natyrës politike ose ushtarake. Po të bjerë realisht në duart e Assadit Aleppo, atëherë këtu do të kemi të bëjmë me të vërtetë me një demonstrim të fortë dhe simbolik të fuqisë së regjimit: kjo tregon se nën mbrojtjen ruse, regjimi është në përparësi dhe se nuk mund të përmbyset. Por kryengritësit e moderuar dhe ata radikalë do të vazhdojnë të luftojnë në zonat rurale dhe do të gjejnë edhe më tej aleatë sunitë, të cilët do t’i armatosin rëndë për këtë. Edhe me terroristët e Shtetit Islamik hë për hë do të kemi ende të bëjmë – jo së fundi sepse Moska dhe Damasku, në kundërshtim me përbetimet e veta deri tani nuk i kanë luftuar vërtet.
Kriminelët e luftës në pushtet
Tragjedia e Aleppos përfaqëson simbolikisht një përfundim, i cili në fakt njihet prej kohësh: Bashar al-Assad, i dyshuari si krimineli më i madh i luftës i kohës sonë, do të vazhdojë të qendrojë në pushtet për aq kohë, sa Rusia dhe Irani të mos e lënë të bjerë dhe SHBA ta shohin duarlidhur. Por Assadi nuk do të mund ta paqëtojë Sirinë – as atëherë kur Donald Trumpi, siç druhen opozitarë sirianë, të bëjë pjesërisht aleancë me Putinin për Sirinë. Pra vrasjet do të vazhdojnë./DW/a.m.