Duke nisur nga 1 nëntori ka nisur zbatimi i vendimit të qeverisë për procedurat e pagesës së debisë për 5.425 ish-ushtarakë në pension, të cilëve u është ndalur një pjesë e pensionit nga dhjetori 2010 deri në prill të 2016.
Sipas këtij vendimi, shlyerja e pagesave nis në nëntor 2016 dhe do të përfundojë në maj 2017.
Sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se: “Shumat e detyrimeve të krijuara nga rillogaritja e përfitimeve suplementare, të paguara, i kthehen çdo kreditori të shpallur, në këste të barabarta, në periudhën nëntor 2016 – maj 2017″.
Pra, pagesat që shteti u detyrohet mbi 5 mijë ish-ushtarakëve do të paguhen në 7 këste të barabarta për shtatë muaj.
Në një takim me ish-ushtarakët në Ministrinë e Mbrojtjes, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi, ministrja Mimi Kodheli theksoi se me ligjin e ri është bërë e mundur që të përfitojnë rreth 5500 ish-ushtarakë.
Sipas ministres, ky ligj është përmbushje e një premtimi të bërë rreth 40 muaj më parë.
“Ne kemi dhënë një premtim rreth 40 muaj më parë të vënies në vend të kthimit një detyrimi, i cili ishte i bazuar jo vetëm në atë çka duhet të përfitonte kjo shtresë e shoqërisë, pro edhe në një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila nuk u zbatua kurrë nga qeveria e mëparshme. Vendim në fakt i cili rikthente një pjesë të borxheve që shoqëria shqiptare i kishte shtresës së ish-ushtarakëve.”- deklaroi Kodheli.
Ndërkohë, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi theksoi se qeveria ka indeksuar çdo vit pensionet për të gjithë njëlloj.
“Kemi informatizuar të gjithë sistemin e listë pagesave në vite, për të gjykuar më drejt për kontributet e gjithsecilit pensionist. Në kuadër të skemës së re të pensioneve, ajo që shkon drejtpërdrejtë tek pensionistët, kemi bërë të mundur që kush e merr pensionin tani të shkojë në masë 30- 40 përqind më shumë sipas llogaritjes me sistemin e ri.”- deklaroi Klosi.
Përfitimi që do marrin ish-ushtarakët varjon nga 25 mijë lekë deri në 400 mijë lekë.
Sipas vendimit, përcaktohet se të interesuarit duhet të dorëzojnë pranë ISSH-së “Vërtetim për vjetërsinë në shërbim dhe pagën mesatare neto referuese” brenda datës 31 tetorit 2016, pasi me përfundimin e këtij afati, detyrimet që rrjedhin nga rillogaritja nuk falen.
Shqiptarja/d.i.