Policia e Tiranës ka arrestuar ditën e sotme dy persona, që janë kapur me një sasi eksplozivi dhe municionesh. Dy të arrestuarit u kapën në kuadër të operacionit “Dërgesa”. Ata janë: Ndue Bushati, 27 vjeç, banues në Mamurras dhe Maliq Lika, 24 vjeç, banues në Laç, i dënuar më parë për “Vjedhje”.
NJOFTIMI
Agjentët e Komisariatit të Policisë Nr 5, të dislokuar me shërbim në vendin e njohur si “Kthesa e Valiasit”, pranë një karburanti, kanë konstatuar shtetasin Ndue Bushatin, i cili po lëvizte në këmbë dhe kishte një qese me vete. Lëvizjet e këtij shtetasi kanë qenë të dyshimta dhe pasi kanë bërë ndalimin e tij kanë konstatuar në brendësi të qeses:
– 11 kallëpe me lëndë eksplozive dyshuar tritol me peshë 450 gramë një.
Nga marrja në pyetje ky shtetas, konfirmoi se lëndën e kishte marrë në aksin rrugor Fushë Krujë – Laç, nga shtetasi Maliq Lika, i cili i kishte porositur ta dërgonte në Tiranë.
Menjëherë janë nisur shërbimet të cilët bënë të mundur kapjen e këtij shtetasi, të cilit gjatë kontrollit iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale: – 85 fishekë, model 56. Po punohet për gjetjen e destinacionit dhe përdorimit të lëndës së dyshuar plasëse.