Alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta do të dominonë motin nesër në të gjithë territorin e vendit ku më të dendura vranësirat do të jenë në zonat veriore dhe verilindore të vendit.
Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me të njëjtat kushte atmosferike duke bërë që kthjellimet të jenë të pranishme në bregdet dhe zonat e ulta, ndërsa zonat malore do të vijojnë me mot të vranët deri në orët e vona të natës kur pritet edhe zhvillim i tyre duke gjeneruar shira.
Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit nuk do të pësojnë ndryshime duke ruajtur të njëjtat vlera të tyre konstante. Era do të vijojë të fryjë e lehtë dhe mesatare duke arritur shpejtësinë 25 km/h nga drejtimi kryesisht veriperëndimor, për pasojë në det do të gjenerohen dallgëzim i ulët, shkruan noa.
Europa
Pjesa më e madhe e kontinentit Europian do të jetë në ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme me origjine kontinentale duke bërë që moti i kthjellët dhe vranësirat e lehta e kalimtare të jenë dominuese.
Ndërsa, zhvillimi i një sistemi të fuqishëm vranësirash në veri të Europës do të bëjë që rajoni i Balltikut dhe vendet Skandinave të ndodhen në ndikimin e vranësirave dhe shirave intensive, herë pas here edhe rrebeshe shiu.