Situata e tensionuar e vazhdueshme politike në vend, e nisur që nga fillimi i këtij viti është njëra prej arsyeve bazë që koncertit madhështor i rock-grupit “Gjurmët”, të mos mbahet në Prishtinë.
Producenti i këtij koncerti, i cili u organizua në fundvitin e kaluar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, deklaroi për emisionin “Express” se përpos disa defekteve në organizim janë angazhimet e shumta të anëtarëve të “Gjurmëve” që e pamundësojnë mbajtjen e këtij koncerti.
Organizatorët, pa precizuar asnjëherë data, kishin përmendur disa lokacione se ku plotësohen kushtet minimale për t’u mbajtur ky koncert.
Adhuruesit e këtij grupi të njohur për shumë hite në vitet e tetëdhjeta, mbesin me shpresë që t’i shohin ata në një koncert në Prishtinë tek vitin e ardhshëm nëse gjërat fillojnë të lëvizin nga pozicioni aktual.
Anëtarët e rok-grupit “Gjurmët” kishin vendosur që pas tridhjetepesë vjetësh të bashkohen me synimin që t’i mbajnë vetëm dy koncerte: një në Tiranë dhe tjetrin në Prishtinë, citohet Koha. (b.an)