Kreu i Komisionit parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho, në një prononcim për gazetën “Sot”, deklaron se sulmi i armatosur në Lazarat kundër uniformave blu ka prapavijë politike. Madje, Braho identifikon dyshen Berisha-Basha si frymëzuesit e rikthimit të bandave të drogës në Lazarat. Sipas Brahos, Berisha dhe Basha me metodat e tyre po ndikojnë në rritjen e kriminalitetit në Lazarat, si e vetmja mënyrë për të dalë kundër forcave të policisë dhe për të rikthyer Republikën e Lazaratit.
Braho bëri me dije se Berisha dhe Basha pritën fushatën zgjedhore dhe rezultatet pas procesit zgjedhor, që të shpërfaqnin këtë skenar disa mujor. Braho deklaroi se sulmi në Lazarat erdhi nga “Kamorra berishiane”. “E kam paralajmëruar ditë më parë këtë skenar dhe ja që na zë në befasi Kamorra berishiane. Është e pajustifikuar toleranca ndaj nxitjes verbale të Berishës që i bën kriminelëve edhe gjuhës së helmatisur së Lul Bashës që nxjerr lot krokodili e sulmon Policinë e Shtetit”, u shpreh Braho.
Kreu i Komisionit të Sigurisë paralajmëron se Berisha-Basha kërkojnë të marrin me patjetër Lazaratin. “Nuk ka dyshim që kanë frymëzim e suport politik. Sera kriminale e ndërtuar, të cilën tani e përdor Partia Demokratike e Lul Bashës, nuk po kultivon dot hashash në Lazarat, por po rrit e trajnon kontingjentin kriminal për t’ju rikthyer parajsës për të marrë me çdo çmim Republikën e Hashashit. Kjo tentativë për ta ripushtuar Lazaratin, ka muaj që po e teston shtetin e policisë dhe shenjat kanë qenë të qarta, por me sa dukej pritej fushata zgjedhore”, deklaroi Braho.
Braho akuza Alikos
Si kryetar i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, ka mbështetur forcat e policisë të cilat po qëndrojnë në krye të detyrës dhe kanë bërë një punë të shkëlqyer për të rrëzuar Republikën e Lazaratit. Braho ka hedhur akuza edhe ndaj kreut aktual të Komunës së Lazaratit, Dashamir Aliko, të cilin e ka konsideruar kriminel. Ai është në një stan kriminal, është shprehur Braho. Spartak Braho, në emër të Komisionit të Sigurisë Kombëtare ka shprehur mbështetjen e fuqishme ndaj Policisë së Shtetit për operacioni e saj shembullor, të suksesshëm të kujdesshëm muaj më parë, në thelb humanitar. Braho i ka kërkuar popullit të Lazaratit të bashkëpunojë me policinë dhe strukturat e shtetit.
Edhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ka deklaruar se Sali Berisha ka lidhje të shumëfishta me bandat e Lazaratit. Ai e cilësoi sulmin me prapavijë politike, i cili vjen edhe për shkak të zemëratës së humbjes së PD në këto zgjedhje. Ish-kreu i SHISH, shtoi më tej se, Berisha nuk mund të organizonte asnjë aksion në Lazarat për arsye se kishte lidhje me bandat dhe kryesisht me grupin e zjarrit që u arratis. Klosi u shpreh se bandat e Lazaratit kërkojnë të rikthehet në pushtet Partia Demokratike për të rikthyer sërish aktivitetin kriminal të hashashit. (Eneida Jaçaj / Sot)