Nga intervistat që gazeta ka bërë me tifozët që ishin në Shkodër del se secili ka harxhuar të paktën 30 euro pa përfshirë biletën, shkruan Koha Ditore.
E nëse bëhet një kalkulim i thjeshtë, atëherë rreth 15.000 tifozët kosovarë kanë harxhuar minimumi gjysmë milioni euro, para që nuk do t’i shpenzonin po të luhej ndeshja në Kosovë apo të paktën ato do të mbeteshin në Kosovë.
Por, Kosova tash për tash nuk ka një stadium me standarde ndërkombëtare dhe nëse edhe në katër ndeshje të tjera si vendase shpenzohen para të tilla, atëherë i bie se me to do të mund të rinovohej stadiumi i Mitrovicës “Adem Jashari”. Rreth tre milionë euro është vlerësuar të jetë kostoja për rinovimin e tij, sipas standardeve të UEFA-s
Kokulur kanë dalë tifozët e Kosovës nga stadiumi “Loro Boriçi” të enjten mbrëma. Por disa prej tyre është dashur të mblidhnin forcat kur kanë shkuar nëpër parkingje të improvizuara private në Shkodër.
Janë mbledhur në grupe për t’i çuar pezull me duar makinat për t’i nxjerrë në rrugë, edhe pse kishin paguar nga pesë euro për t’i pasur të sigurta gjatë katër orëve të qëndrimit në qytetin verior shqiptar. Kosova u mposht 6:0 nga Kroacia në ndeshjen e parë si vendase për kualifikimet e botërorit “Rusia 2018”, citohet Koha. (b.an)