“Ka ardhur ftesa, më 2 tetor jam në Kosovë për t’iu bashkuar përfaqësueses. Mendoj që edhe leja e FIFA-s ka ardhur, pasi kam marrë ftesën.
Do të thotë shumë për mua që do t’i bashkohem Kosovës dhe mezi po pres që të bashkohem me ekipin”, ka thënë Nurkoviq të enjten për gazetën. Lidhja e tij me Kosovën është gruaja, ndërkohë që shton se “diku në rrethinë të Prishtinës ka disa të afërm”, shkruan Koha Ditore.
Adis Nurkoviq më 2 tetor do të marrë rrugë për Prishtinë. Ai do të udhëtojë nga Bosnjë-Hercegovina për t’iu bashkuar në stërvitje Përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Nurkoviq është anëtari më i ri i Përfaqësueses së Kosovës, që në tetor i luan dy ndeshjet e radhës eliminatore për botërorin “Rusia 2018”. Nurkoviq, madje, është i vetmi joshqiptar në Përfaqësuesen e Kosovës në futboll.
Ai është boshnjak, i lindur e i rritur në Bosnjë-Hercegovinë. Ka lindur në Velika Kladusha. Nurkoviq 30-vjeçar është portier dhe aktualisht ruan portën e skuadrës Travnik që bën gara në kategorinë e dytë boshnjake. (b.an)