Merr fund odisea e pritjes së njëzetë familjeve,të cilat prej më shumë se 20 vitesh jetojnë në konviktin e shkollës së mesme në Librazhd. Bashkë me 15 familje të tjera në nevojë për strehim ato së shpejti do të strehohen në apartamentet e ndërtuara nga Enti Kombëtar i Banesave.
Ministrja e Zhvillimit Urban,Eglantina Gjermeni së bashku me kryebashkiakun Gurra dhe deputetin Taulant Balla zhvilloi sot një takim me 35 familjet përfituese të projektit për banesat sociale në qytetin e Librazhdit.
Ky objekt banimi i investuar nga Enti Kombëtar i Banesave me një vlerë tetëdhjetë e nëntë milionë Lekë , është projektuar dhe ndërtuar me parametrat e efiçencës së energjisë, normave të ndërtimit të përcaktuara për aksesueshmërinë nga personat me aftësi të kufizuar dhe standarde bashkëkohore ndërtimi. Objekti 8 katësh përveç 35 apartamenteve ofron edhe 1 kat shërbimi.
Në fjalën e saj, Ministrja Gjermeni theksoi se “Mbas dy dekadash ky është investimi i parë që bëhet në bashkinë Librazhd për banesa sociale edhe pse është një ndër bashkitë ku nevoja për strehim është shumë e madhe. Dua të falënderoj Kryetarin e Bashkisë për bashkëpunimin dhe kontributin në realizimin e këtij projekti duke na vendosur në dispozicion truallin për ndërtim”.
Më vjen mirë – shtoi ndër të tjera Gjermeni – që ne jo vetëm arritëm të përfundonim ndërtimin e këtij objekti brenda vetëm 8 muajve, por dhe të mundësojmë strehimin e 35 familjeve vërtet në nevojë imediate për strehim.
“Këshilli Bashkiak në kohë rekord mori vendimin për miratimin e listës së familjeve përfituese për t’u akomoduar në këto apartamente, duke i dhënë përparësi disa familjeve që prej më shumë se 20 vitesh ishin të pastreha dhe jetonin në konviktin e shkollës së mesme”, u shpreh Ministrja Gjermeni.
Në fjalën e tij deputeti Balla theksoi se “ky investim vërtet nuk zgjidh të gjithë problematikën dhe nevojën për strehim që kanë banorët e Librazhdit, por të paktën i jep një mundësi për të përfituar një apartament pas shumë viteve pritje 35 familjeve në nevojë për strehim të bashkisë Librazhd.”
Gjithashtu deputeti Balla vlerësoi punën e bërë deri më tani nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Enti Kombëtar i Banesave lidhur me adresimin e nevojave për strehim për qytetarët dhe theksoi se shumë shpejt në Librazhd do të fillojë një tjetër projekt i ri për banesa sociale.