Nga Linda Karadaku
Ne kemi një shprehje shumë të bukur, “qesh se nuk qaj dot.” Keshtu ndodh edhe me parlamentin shqiptar, gallatë, qyfyre, bam njëri, bum tjetri, njëri shan, tjetri gati batutën, dikush tjetër rrethon kodrinën e foltores, një tjetër pak më tej bën gati grushtin, pastaj një tjetër kërcënon me një dru të mirë, e kështu me rradhë, pozicionohet garda e deputetëve, majtas, djathtas, në mes, në qendër, pak në veri, pak në jug, lëre mos e pyet. Shkrihesh duke qeshur, siç thashe, se nuk qajmë dot, duke parë si i hakërrehen njëri-tjetrit në emër të popullit. Si tek ai filmi, “Gjeneral Gramafoni” ku i madhi Sandër Prosi thoshte: “O popull, sa shumë gjëra bëhen në emrin tënd, madje edhe naltmadhnia flet në emrin tënd. Nje njeri mund te mashtroje nje tjeter per nje kohe, mund te mashtroje nje popull per nje fare kohe, por nuk mund te mashtroje kurre nje popull te tere per te gjithe jeten.”
Pastaj vazhdon gallata si tek ai filmi tjetër, “Përrallë nga e kaluara” ku Kotja thote “o ç’u kënaqëm…” Në fakt kjo na ka mbetur, të paktën të qeshim me këtë tragjikomedi ku akuzat shkëmbehen për të vërtetuar se kush është më shumë ose më pak i keq se tjetri. Imagjino pastaj kalamajtë kur e shohim në televizor sikur shohin ndeshjen e gjelave apo të demave me të gjithë fjalorin përkatës të xhepit, të kuptuar dhe nënkuptuar. Dhe kur gallata ka mbaruar, në stomak të mbetet një shije e keqe, e hidhur, sepse ata nuk tallen me njëri-tjetrin, jo, tallen me ne, me ne popullin, duke na shitur moralin pushtetar dhe opozitar bashkë në një sallatë 140 vendëshe, “në emër të popullit.” Pastaj, shija e sallatës së hidhur bëhet edhe më pelin kur dëgjon komentet si në ndeshje futbolli, “sa mirë ia tha,” “ia futi,” “po sa mirë ia ktheu ky,” “cfarë batutë,” “nuk të lë ky të flasësh ashtu, ky është burrë,” e të tjera, e të tjera.
Dhe për t’i vënë kapak, gratë-burra konkurojnë denjësisht dhe meritojnë epitetin “zonjë” ose “burrneshë.” Vjen në përfundimin që do vinte natyrshëm. Baballarët dhe mamallarët e kombit harrojnë që ne nuk jemi aq budallenj sa vetëm të qeshim me gallatën e parlamentit ngaqë nuk qajmë dot. Nuk mund të na e fyejnë inteligjencën kaq shumë. Ata nuk kuptojnë më se kanë humbur kontaktin, lidhjen me shumicën prej nesh, nuk kuptojnë më që ne i shohim dhe qeshim si Kotja, por nuk iu besojmë. Dhe marrim hak në mënyrën tonë, për ne nuk ka më rëndësi kush na e jep lekun, miellin apo ndonjë të mirë tjetër, e marrim, sepse kemi humbur shpresën që parlamenti tjetër, bashkë me baballarët dhe mamallarët do të jetë ndryshe. Mund ta kemi ne gabim! Po qetë vërtetë burra dhe gra për këtë popull, na provoni të kundërten! Dhe ja, ku e keni fjalën e burrit dhe të gruas se edhe ne do tíu shohim dhe votojmë ndryshe kokë për kokë, jo me lista partish. Deri ateherë, do rezervojmë vende para televizorit për të parë tragji-komedinë e së enjtes, me batutën “o ç’u kënaqëm!”