Ishte gushti i vitit 1992. Prokurori më proaktiv i ekipit “Mani Pulite” në Prokurorinë e Milanos, Antonio Di Pietro kishte arrestuar sekretarin e Betino Kraksit, ish-kryeministrit socialist, për të cilin ishte hapur opinioni se ishte zemra e sistemit korruptiv.
Di Pietro, bashkë me 4 prokurorët e grupit “Duart e Pastra” sipas përkthimit në shqip, kishte ndërmarrë misionin për të tronditur sistemin e rryshfeteve.
Por sekretari i Kraksit, i cili erdhi vetë në zyrën e prokurorit të Milanos, i tha që e gjithë furtuna që ai dhe shokët e tij po provokonin, do të nxirrte në breg vetëm disa peshq të vegjël dhe jo “mamuthët” e korrupsionit.
Dhe në fakt ashtu ndodhi pak a shumë.
Edhe pse në Itali u trondit sistemi, u shemb “Republika e Dytë” dhe lindi “Republika e Tretë”, realisht nuk u dënua asnjë ministër apo kryeministër për korrupsion.
Kraksi vdiq në ekzil dhe më vonë u shpall i pafajshëm pas vdekjes.
Andreoti vdiq i pafajshëm, disa ministra demokristianë dhe socialistë po ashtu, fituan gjyqet edhe pse iu gjendën miliona lireta ndën dyshekë, ndërsa produkti i atij sistemi, Silvio Berlusconi dominoi të gjithë “Republikën e Tretë” duke qenë kryeministër për pjesën më të madhe të kohës, deri në fundin pa lavdi kur u largua prej të pabërave të tij dhe jo nga sistemi.
Kurse në Kroaci, kur nisi operacioni i madh për të luftuar korrupsionin në sistem, prokurori Dinko Cvitan, mblodhi në fshehtësi provat dhe nuk bëri asnjë veprim tjetër pa arrestuar një “peshk të madh” siç ishte ish-kryeministri Ivo Sanader.
Bëri letrat dhe kishte gjithçka gati mbrëmjen e 9 dhjetorit 2010, kur ish-kryeministri kaloi kufirin në makinë dhe së bashku me të bijën u vendosën në një banesë në Salzburg të Austrisë.
Mëngjesin e 10 dhjetorit 2010, kur Bruna, e bija e Sanaderit doli të blejë bukën e freskët në furrën përballë banesës, gjeti policët e njësisë speciale të krimit ekonomik austriak që i dorëzuan një letër të Interpolit, ku babai i saj rezultonte në arrest ndërkombëtar i akuzuar për korrupsion.
Vetëm për një muaj: në janarin e vitit 2011 në Kroaci, u arrestuan 250 zyrtarë të fuqishëm, pjesa më e madhe krerë entesh publike si Albpetroli, Armo dhe OSHE-ja jonë.
Prokurori special, nga drejtorët e këtyre enteve që ishin motori i parave të shefave, nxori në dritë gjithçka: emra dhe fakte. Sistemi i rryshfetit u godit në zemër të tij. Kroacia më pas u bë anëtare e Bashkimit Europian.
Korrupsioni vazhdon akoma, por u prish sistemi që bënte të mundur statuskuonë e oligarkisë politiko-financiare.
Për Sanaderin, i cili qëndroi dy mandate si kryeministër thuhej se është një “politikan fitues” edhe pse nuk fitonte zgjedhjet. HDZ-ja e Sanaderit merrte 12 përqind të zgjedhjeve, por gjithmonë ai ishte numri 1, pasi kishte mbledhur rreth tij gjithë pushtetin e parasë që i kishte marrë frymën vendit.
Me rënien e Sanaderit, “kështjella e së keqes” dëshmoi se ishte prej rëre dhe u rrëzua e tëra. Sistemi nisi të marrë frymë, pasi poret e tij u liruan nga cipa që i zinte frymën.
Po tek ne si do të veprojnë “dinkot dhe dipietrot” shqiptarë?!
Pas dekretimit prej Nishanit, ligji i vettingut do të nisë nga zbatimi dhe nga fundi i shtatorit do të jetë dorëzuar raporti i vlerësimit për të gjithë gjykatësit e prokurorët.
E para që do të nisë nga puna do të jetë Prokuroria Speciale dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, agjentët e të cilëve kanë filluar të koalidohen nga një zyrtar i FBI-së.
Një zyrë në Bruksel ka prej kohësh që përgatit dosje për korrupsionin e stërmadh shqiptar. Ndërkohë që në Prokurorinë e Përgjithshme janë gati për t’u rihapur rreth 20 mijë dosje që janë lënë në harresë prej 25 vitesh.
Vetëm për t’i hapur të gjithë këto dokumente do të duhen më shumë se 10 vjet dhe shqiptarët do të zhgënjeheshin tmerrësisht nga pritshmëria për të pastruar dhe shkulur nga rrënjët statuskuonë e oligarkisë.
Shembulli kroat është shumë i thjeshtë.
Kush është “Sanaderi shqiptar”, ai që është gjitmonë “fitues” dhe rri gjithmonë në pushtet.
Pas tij janë lukunia e superdrejtorëve që janë bërë miliarderë dhe politikanë vetëm me dy vjet punë në KESH apo ndërmarrje të tjera publike që administrojnë sasi të mëdha parash e pasurish publike.
Nëse në Kroaci u deshën 250, tek ne mund të shkohet edhe në 100 sosh. Atëherë do të shihni si do të tronditet i gjithë “oktapodi” i abuzimit në Shqipëri.
Pas kësaj, hapja e dosjeve djegëse si “Gërdeci”, “21 janari” “vrasja e Santos” bashkë me operacionet financiare që i kanë shoqëruar do të jetë një lojë fëmijësh.
Lukunia e biznesmenëve që fitojnë kontrata publike prej 25 vjetësh, që janë vetëm kukulla të oligarkisë, do të nisë rrëfimin e para.
Kështu ndodhi edhe në Kroaci e Rumani.
Tek ne amerikanët dhe BE duket se kanë marrë më shumë kompetenca. Operacioni duket se do të jetë më i centralizuar… (Tesheshi.com)