Kolumbia shënon sot një ditë historike me hyrjen në fuqi të armëpushimit të parë dypalësh dhe përfundimtar i pa nënshkruar më parë midis guerilasve të FARC-ut dhe qeverisë, për gati 52 vite në konflikt të armatosur.
“Këtë 29 gusht nis një kapitull i ri në historinë e Kolumbisë. Të ndalim konfrontimet me armë. Lufta me FARC-un përfundoi!”, shkruante në mesnatë në platformën Twitter presidenti Juan Manuel Santos. “Duke nisur që nga ky moment fillon një armëpushim dypalësh dhe i patjetërsueshëm”, u shprehën në Twitter Forcat e armatosura revolucionare të Kolumbisë (FARC, marksiste), guerila kryesore e vendit e krijuar në 1964 nga një revoltë e klasës punëtore që numëron ende rreth 7.500 forca.
Disa orë më parë, nga Havana lideri suprem i FARC, Timoleon Jimenez i njohur si “Timoshenko”, deklaroi: “I jap urdhër çdo luftëtari nga ana jonë për të ulur armët dhe armiqësitë në mënyrë përfundimtare kundër Shtetit kolumbian” raporton BW.
Presidenti Santos, kreu i Ushtrisë u kishte dhënë urdhër para disa ditësh trupave kolumbiane për të ndalur konfrontimet kundër FARC, duke nisur nga kjo e hënë në 00:00 (05:00 GMT). Në mesnatë, sipas radiove lokale, forcat zjarrfikëse kanë ndezur sirenat e kamioneve të tyre në disa qytete të vendit, në shenjë të vendosjes së armëpushimit me kërkese të Ministrisë së Brendshme. Është hera e parë që Kolumbia do të përjetojë një qetësi të tillë pa të shtënat e armëve, edhe pse FARC respektonte prej korrikut të 2015 një armëpushim të njëanshëm të armiqësive, qeveria nga ana e saj kishte pezulluar sulmet ajrore kundër rebelëve.