Tri vajza, dy prej të cilave motra dhe një fqinje e tyre nga fshati Selcë e Poshtme të Pogradecit, u denoncuan të zhdukura paraditen e djeshme nga prindërit e tyre, ndërsa janë gjetur në Elbasan rreth orës 19:00 të pasdites. Vajzat janë shoqëruar në komisariatin e Elbasanit në gjendje të mirë shëndetësore, ndërkohë që nuk është bërë e ditur mënyra se si ato janë zhdukur. Lajmi për zhdukjen e tyre u bë i ditur për mediat nga policia e Korçës nëpërmjet një njoftimi zyrtar të saj. Sipas policisë denoncimi është bërë nga babai i dy motrave Çollaku, njëra 14 vjeçe dhe dy të tjerat 16 vjeçe, i cili njoftoi në polici zhdukjen e tyre.
Zhdukja
Sipas burimeve të policisë, mësohet se ka qenë babai i dy motrave, Bashkim Çollaku, ai që ka bërë denoncimin në policinë e Pogradecit vetëm pak orë pasi tri vajzat nuk janë gjetur në banesën e 16-vjeçares A. Baci. Sipas policisë, dy motrat kanë kaluar një natë në shtëpinë e 16-vjeçares, A. Baci, para se të zhdukeshin nga fshati i tyre i thellë në krahinën e Mokrës në Pogradec. Burime të siguruara thanë se Bashkim Çollaku kishte vite i ndarë me bashkëshorten dhe jetonte vetëm me dy vajzat B. dhe L. Çollaku, përkatësisht 14 dhe 16 vjeçe. Nga ana tjetër, 16-vjeçarja, A. Baci, mësohet se jetonte vetëm me vëllanë e saj, pasi prindërit i kishte në emigracion në Greqi. Por, një tjetër burim tha se 16-vjeçarja Baci, shumë afër banesës së saj kishte të afërm të cilët kujdeseshin për të.
Duke qenë se ishte e vetme, të dy motrat Çollaku pjesën më të madhe të kohës e kalonin me 16-vjeçaren, A. Baci, madje pothuajse çdo natë edhe me lejen e babait të tyre, e kalonin në shtëpinë e saj. Ndërkohë, mësohet se dy netë më parë (të premten), motrat Çollaku kishin marrë leje tek babai i tyre për të shkuar dhe për të fjetur te shoqja e tyre, 16-vjeçarja Baci. Ato kanë shkuar në shtëpinë e Bacit të premten në darkë, por që mëngjesin e së shtunës jo vetëm që dy motrat nuk janë kthyer në banesën e tyre, por akoma më tej nuk janë gjetur as në shtëpinë e 16-vjeçares. Mungesa e vajzave është pikasur gjatë kohës kur 45-vjeçari Bashkim Çollaku, ka shkuar në shtëpinë e shoqes së vajzave të tij e për të pyetur nëse motrat ishin apo jo. Mungesa e tyre ka rënë menjëherë në sy, dhe kaq ka mjaftuar që 45-vjeçari, i shoqëruar edhe nga persona të tjerë të marrë rrugën e Pogradecit për të bërë kallëzim në polici, ndërsa gjetja e tyre është bërë e mundur pas disa orë kërkimesh.
Policia
Pas kallëzimit të 45-vjeçarit Bashkim Çollaku, një patrullë policie ka shkuar në fshatin Selcë e Poshtme, aty ku ka marrë shumë dëshmi që kanë të bëjnë me lidhjet e tre vajzave, të cilat kanë pasur kryesisht më djem të këtij fshati, por dhe me të tjerë. Ajo çfarë policia ka mësuar nga një dëshmi e familjarëve të 16-vjeçares A. Baci, është ora kur ato mendohet të jenë larguar nga banesa. Gjithnjë sipas kësaj dëshmie, burimet nga policia bëjnë të ditur se tri vajzat mendohet të jenë larguar nga banesa rreth orës 01:00 të së shtunës, nisur nga zhurma e një mjeti që është dëgjuar në afërsi të shtëpisë së 16-vjeçares, për të cilën flitet se jeton me vëllanë. Kjo dëshmi e ka detyruar policinë lokale të kërkojë ndihmën e policisë së Tiranës,Vorës dhe Korçës, aty ku vajzat kanë të afërm të tyre. 16-vjeçarja A. Baci Burime të siguruara pranë komisariatit të Pogradecit, bënë me dije se 16-vjeçarja është larguar për disa ditë nga banesa pa lejen e personave, të cilët kujdeseshin për të në mungesë të prindërve, të cilët punojnë në emigracion.
Vetëm pas kërkimeve të policisë lokale është rikthyer në shtëpinë e saj, që ndodhet në fshatin e thellë malor. Ky fakt edhe për policinë e Pogradecit tregon se ka qenë pikërisht Baci, ajo që i ka bindur dy motrat të largohen nga shtëpia. Herën e parë, 16-vjeçarja mësohet se është gjetur në kryeqytet, ndaj kërkimet e djeshme të policisë u përqendruan më së shumti në kryeqytet. Tri adoleshentet, sipas policisë, mendohet se kanë krijuar lidhje nëpërmjet rrjeteve sociale, duke bërë që ato të largohen edhe nga shtëpia pa dijeninë e prindërve. Por, nuk përjashtohet mundësia që njëra nga tri vajzat të ketë pasur lidhje me një nga djemtë e fshatit. Në këto dy pista po heton edhe policia lokale, për të zbuluar pse ato u zhdukën për disa orë.
T. Frroku