Kryeqytetit i shtohet një tjetër qendër e re shëndetësore e kujdesit shëndetësor Parësor. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, përuroi sot pikën e re të Qendrës Shëndetësore nr. 8/4, në zonën e ‘Komunës së Parisit’ në Tiranë.
“Vijojmë me shtrirjen e prezencës së shërbimit shëndetësor Parësor në Tiranë. E gjithë kjo zonë që ka rreth 10 mijë banorë, nuk do të duhen të shkojnë në pikën e Tiranës së Re, por do ta marrin gradualisht shërbimin shëndetësor këtu. Pra, ofrojmë Mbulimin Universal me kontrollin shëndetësor bazë pa pagesë (40-65 vjeç), por po përpiqemi ta shoqërojmë me Aksesin Universal, në mënyrë që distancat gjeografike të mos kthehen në pengesë apo pamundësi për të marrë shërbimin shëndetësor”, tha ministri Beqaj.
Kjo pikë e re shëndetësore në zonën e ‘Komunës së Parisit’ përfshin shërbimin e kujdesit Parësor si dhe kabinetin e Check-Up. Ministri Beqaj u angazhua se brenda muajve të verës do të ofrohet edhe shërbimi i Pediatrisë për shkak të nevojës së kësaj zone mjaft të populluar.
“Ne jemi të angazhuar për të reformuar radikalisht, sidomos shërbimin e kujdesit Parësor. Këtë e bëjmë në rradhë të parë me Programin e Kontrollit Mjekësor Bazë pa pagesë, por edhe me disa ndërhyrje që kemi bërë për t’i lehtësuar sa më tepër mjekëve pjesën burokratike dhe për t’i dhënë më shumë mundësi për t’u marrë me mjekësi dhe për të qenë më shumë prezent pranë popullatës së tyre,” u shpreh ministri i Shëndetësisë”.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me shtrirjen e përurimeve të qendrave shëndetësore edhe në zona të tjera, përveç kryeqytetit, si dhe në shërbimin spitalor, Beqaj u përgjigj:
“Së pari, nëse e keni ndjekur, një qendër të ngjashme e kemi hapur në një zone periferike të qytetit të Shkodrës. Por ne besojmë se qeverisja vendore që do të dalë nga zgjedhjet e 21 Qershorit, do të ketë edhe më shumë kompetenca lidhur me shëndetësinë, dhe sidomos, me kujdesin shëndetësor Parësor me prezencën në territor të qendrave shëndetësore. Ne trashëgojmë një hartë të qendrave shëndetësore prej 25 vjetësh,”- vazhdoi më tej kreu i shëndetësisë, duke theksuar se, “ndërkohë që ka lëvizje migratore të brendshme shumë të ndjeshme këto 25 vite, por gjithashtu, ka edhe ndryshim të epidemiologjisë, kështu që do të duhet të përshtatemi në territor shumë më pranë njerëzve edhe me mjekë specialistë të sëmundjeve që janë zhvilluar më shumë këto kohë. Padyshim që investime të rëndësishme janë bërë edhe në shërbimin spitalor, sikurse janë disa financime të rëndësishme që dy muajt e fundit janë bërë prezente, që shkojnë me dhjetra million dollarë,” tha Beqaj.
I pyetur në lidhje me ecurinë e Check-up (Kontrollit Mjekësor Bazë), ministri i Shëndetësisë u përgjigj: “Nga të dhënat që na vijnë nga qendrat shëndetësore, fluksi është i kënaqshëm, por padyshim që për të patur një shpërndarje normale të ngarkesës së punës, duke patur parasysh se ai kontroll mund të bëhet në orët e paradites (sepse atëherë mund të ketë vlerë gjaku i marrë për analiza), në qytete ecet në këtë mënyrë dhe ka interes kudo ku funksionon Check-Up, ndërsa në zonat e largëta malore kemi filluar prej disa javësh të punojmë me Njësitë Mobile. Fluksi është i kënaqshëm”.