Dy shqiptarët e arratisur nga burgu, ku vuanin dënimin për vrasje në Greqi, u lanë në burg ne fundjave nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi pak ditë më parë u kapën duke trafikuar drogë dhe armë në zonën e Korçës. Me kërkesë të Prokurorisë, gjykata vendosi lënien në qeli pa afat për shtetasit Ludovik Kola dhe Enkeledi Myrte, të arratisur nga burgu në Greqi.
Në burg, gjykata e la edhe shokun e tyre, Shpëtim Hidri, i arrestuar më 15 gusht bashkë me dy të arratisurit nga burgu në Greqi. Tre personat ranë në pranga mesditën e 15 gushtit, duke tentuar të kalonin në mënyrë ilegale në Greqi me një makinë, tri armë zjarri kallashnikov, një pistoletë dhe 3.3 kg hashash.
Në seancën e drejtuar nga gjyqtari Luan Hasneziri, i arratisuri nga burgu grek Ludovik Kola mori përsipër armët, drogën dhe organizimin për trafikimit të tyre në Greqi. Kola tha para gjykatës se dy shokët e tij nuk kanë përgjegjësi për këtë krim, pasi nuk kishin dijeni për drogën dhe armët që ishin vendosur në automjet.
Kola shpjegoi para gjykatës se shoku me të cilin ishin arratisur nga burgu grek, më 17 maj 2016, shtetasi Enkeledi Myrte po i tregonte rrugën nëpër fshatrat e Devollit, pasi do të kalonte në mënyrë ilegale në Greqi. Në lidhje me të arrestuarin Shpëtim Hidri, pronari i mjetit ku u gjetën armët e droga, Ludovik Kola, ka thënë në gjykatë se ai nuk kishte dijeni se për çfarë qëllimi ia kishte marrë mjetin, referon Express. (b.an)