Devoll Hydropower që po ndërton Hidrocentralin e Banjës dhe Moglicës mbi lumin Devoll ka angazhuar 19 miliardë (137 milionë euro) lekë investime vitin e kaluar.
Sipas të dhënave në pasqyrat financiare të kompanisë, për vitin 2015 kjo vlerë është shpenzuar kryesisht në blerjen e pronave, makinerive dhe pajisjeve etj.
Për investimet në Shqipëri, aksionerët e kishin vënë në dispozicion një shumë prej 23 miliardë lekësh.
Biznesi vendas është duke përfituar shumë pak nga nënkontraktimi i punimeve në projektet e mëdha të gazsjellësit TAP dhe Devoll Hydropower.
Devoll Hydropower, e cila operohet nga kompania e energjisë norvegjeze Statkraft AS, ka nënkontraktuar pesë operatorë për ndërtimin e të paktën dy hidrocentraleve në kaskadën përgjatë lumit Devoll, në Shqipërinë juglindore.
Sipas të dhënave në web-in zyrtar të kompanisë, nga pesë kompanitë e nënkontraktuara, vetëm njëra është shqiptare. Doko sh.p.k me qendër ne Elbasan është kontraktuar nga Devoll Hydropower sh.a., për ndërtimin e linjës së transmetimit 110kV dhe 220kV.
Të katër kompanitë e tjera janë të huaja. Kompania turke Limak-AGE është e kontraktuar dhe po kryen punimet aktualisht për ndërtimin e HEC-eve të Banjës dhe Moglicës.
Kompania ndërkombëtare, Alstom, po kryen punimeve hidraulike dhe elektromekanike.
Punimet inxhinerike po kryehen nga një sipërmarrje të përbashkët ndërmjet Mott Macdonald dhe Coyne et BELLIER. Ndërsa dizanjimi i projektit është bërë nga AF Consult Switzerland Ltd.
Projekti Hidroenergjetik i Devollit përbëhet nga tre hidrocentrale me kapacitet të instaluar prej përafërsisht 280 MW. Mesatarisht HEC-et do të prodhojë rreth 800 GWh në vit, duke ndikuar në rritjen e prodhimit shqiptar të energjisë elektrike me rreth 20 për qind.
Teksa punimet kanë vazhduar për HEC-in e Banjës dhe Moglicës, vendimi për ndërtimin e HEC-it të tretë do të merret pasi të kenë përfunduar njëri ose të dy HEC-et e para. Totali i investimeve në 535 milionë euro.
Shoqëria investuese në Shqipëri është themeluar si shoqëri aksionere nga EVN Ag dhe Statkraft. Po aktualisht aksioner i vetëm është Statcraft market B.V.
Sipas marrëveshjes koncensionare me qeverinë shqiptare, kompania do të ndërtojë të paktën dy njësi prodhuese hidroenergjetike (Moglica dhe Banka) me kapacitet total 256 MW dhe me një prodhim mesatar 700 GWh energji të parët në vit. Marrëveshja koncesionare parashikon përdorimin e ujit të luginës së lumit Devoll nëpërmjet lartësive 95 -650 metra mbi nivelin e detit, përfshirë edhe degëzimet në këtë lume raporton Monitor.
Sipas marrëveshjes, Devoll Hydropower është e lejuar të furnizojë prodhimin neto të energjisë elektrike brenda dhe jashtë Shqipërisë. Afati i koncesionit është për një periudhë 35-vjeçare, sipas modelit BOOT (ndërtim, zotërim, operim, transferim)./a.m.