Deri tani, KQZ ka regjistruar partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhje dhe dy koalicionet zgjedhore, “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe “Aleanca Popullore për Punësim dhe Mirëqënie”.
Zgjedhjet për kryetar të bashkisë Dibër konsiderohen për palët politike një test paraprak i zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Partia Socialiste, e mbështetur nga Lëvizja Socialiste për Integrim, do të konkurojë në këtë proces me kandidatin Muharrem Rama, ndërsa Partia Demokratike e opozitës do të garojë me kandidatin Sherefedin Shehu, ish-deputet i saj në këtë zonë zgjedhore.
Partitë që mbështesin kandidatin socialist janë 4, ndërsa partitë që mbështesin kandidatin demokrat, janë 12. Të regjistruar në listat e votuesve, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, figurojnë 57.018 zgjedhës, ndërsa do të prodhohen 58.158 fletë votimi. Procesi elektoral në Dibër do të administrohet nga një komision zonal i administrimit zgjedhor (KZAZ), ndërsa janë ngritur 118 qendra votimi.
Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të bashkisë Dibër erdhën pas vendimit të qeverisë për shkarkimin e ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili, për shkak të publikimit në media të disa pamjeve, ku ai kërkonte favore seksuale nga një vajzë e re, në këmbim të një vendi pune. Gjykata Kushtetuese rrëzoi ankimimin e tij, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme në këtë bashki të madhe në pjesën verilindore të vendit.
ma.me