Qeveria e Kosovës nuk zhvilloi mbledhjen e thirrur për sot në mbrëmje, e cila do ishte e 103-ta, e 35-ta këtë vit. “Kryeministri Isa Mustafa merr pjesë në mbledhjen e qeverisë së Republikës së Kosovës, në orën 19:00”, ishte njoftimi zyrtar i dërguar.
Ndërsa ende nuk është njoftuar pse nuk u mbajt mbledhja e qeverisë, në të cilën sipas paralajmërimeve jozyrtare do vendosej për procedim të ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi.
Ndërkohë, në mjediset e Kuvendit të Republikës së Kosovës ende po vazhdon debati profesional-shkencor, që ishte thirrur për sot në orën 10:00 paradite, mes Komisionit shtetëror për shënjimin e kufirit dhe grupit të njohësve që kanë kërkuar debatin për diskutim dhe ballafaqim faktesh për çështjen e shënjimit të kufirit Kosovë – Mali i Zi.
Në këtë tryezë po marrin pjesë deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, presidenti, kryeministri, anëtarët e Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, ekspertë të propozuar nga grupi i deputetëve që e kanë kërkuar debatin, përfaqësues të institucioneve relevante të fushës, organizata joqeveritare, media dhe diplomatë të akredituar në Prishtinë.
“Dilemat dhe kundërshtimet rreth shënjimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi duhet të sqarohen, në mënyrë që vendi të ecë përpara”, thanë pjesëmarrësit në debat, ku pati paralajmërime se pas përmbylljes së këtij debati qeveria duhet të procesojë për demarkacionin. Debati me pikëpamje e vlerësime të ndryshme po vazhdon dhe ende nuk dihet nëse do të ketë përfundime të përbashkëta apo jo e as kur do përfundojë.
Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të medha PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogla dhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
BW/d.i.