Kuvendi pritet t’i hapë rrugë në seancën e sotme, nismës së qeverisë që mundëson rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, ndërsa maxhoranca dhe opozita debatuan lidhur me qëllimin e projektligjit.
Ministri Arben Ahmetaj tha se ky është një ligj i rivlerësimit të pasurive, i cili ofron një mundësi të kufizuar në kohë, për të lehtësuar një barrë të mundshme fiskale në të ardhmen për të gjithë ata që vlera e pasurive të tyre të paluajtshme ka akoma vlerën historike dhe ka nevojë të rivlerësohet në vlerën e tregut. Ahmetaj renditi disa nga reformat dhe nismat fiskale që kanë ndikuar në përmirësimin e situatës ekonomike në vend.
“Kemi prekur me ulje drastike të paktën 80 % të familjeve shqiptare. Për herë të parë kjo qeveri nuk krijon balancë negative dhe sivjet borxhi është më i ulës se vitet e kaluara duke filluar trajektoren rënëse”, deklaroi ai.
Ministri i Finacave po ashtu vlerësoi qëndrimin e opozitës që sipas saj, pavarësisht qëllimit do ta votonte nismën për rivlerësimin e pasurive.
Bode: Rëndon qytetarët në të ardhmen
Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, tha sot gjatë fjalës së tij në parlament se nisma e qeverisë për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme do të rëndojë qytetarët në të ardhmen. Sipas tij, kjo nismë është një kërbaç.
“ Kjo nismë nuk është një karamele në vitin elektoral në detin e hidhur ku qeveria ka hedhur qytetarët por një kërbaç pasi qeveria mendon të ndryshojë skemën e taksimit mbi bazën e vlerës, çka do të rëndojë qytetarët në të ardhmen”, tha Bode
Më tej ai tha: “Mbështesim çdo masë në dobi të qytetarëve e biznesit dhe për këtë arsye e kemi shprehur votën pro, por në të vërtetë kemi të bëjmë me një masë periferike në interes të një numri të limituar që nuk kalon 2 % për qytetarët, ndërsa për bizneset nuk ka asnjë interes dhe lidhet me ata qytetarë që kanë banesa për të shitur”, tha Bode.
ma.me