Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zbuluar në debatin e djeshëm të grupit edhe një pjesë nga negociatat me Viktoria Nuland të dielën e kaluar. Teksa po i përgjigjej kritikëve Patozi, Bregu e Ruli, Basha ka thënë se i ka propozuar zyrtares së lartë amerikane që procesin e vetingut ta bënte Gjykata Kushtetuese. Por ky propozim është hedhur poshtë nga Nuland, madje me një shprehje popullore, shkruan panorama.al.
“Kemi qenë konstantë në qëndrimet që kemi mbajtur. Kemi propozuar që ndërkombëtarët të jenë pjesë e procesit dhe të kenë rol monitorues.
Në formulën e fundit që propozuam, pjesa thelbësore e së cilës bën edhe bazën për të cilën jemi duke negociuar, nuk ua jepte ndërkombëtarëve procesin e vetingut, por Gjykatës Kushtetuese. Në gjykimin tim si jurist, por edhe të ekspertëve të forcës sonë politike që po merren me këtë çështje, Kushtetuesja ishte organi kompetent për t’u marrë me procesin e vetingut.
Propozimin tim ia kam përcjellë edhe ndihmëssekretares së Shtetit Nuland, por ajo ka pasur tjetër qëndrim. Sipas saj, t’ia japësh një proces të tillë Gjykatës Kushtetuese është si të vendoset macja të ruajë kanarinat. Duke ngritur në këtë mënyrë një pretendim eventual se për aq kohë sa Gjykata Kushtetuese dhe anëtarët e saj do të jetë objekt i vetingut, nuk mund të bëjnë përzgjedhjen e komisionerëve që do të kryejnë procesin. Ndaj edhe ne sot kemi ardhur me një tjetër zgjidhje”, tha Basha në mbledhjen e grupit.
ma.me