Një person e ka humbur jetën në Nepalin jugor pasi ka bërë përpjekje që të realizojë një fotografi “selfie” me një elefant të egër, raporton agjencia gjermane e lajmeve, DPA. Personi i paidentifikuar ka qenë duke e vozitur një kamion të mbushur me ujë kur është ndalur që të bëjë fotografinë me kafshën e egër. Elefanti menjëherë e ka sulmuar personin në fjalë dhe e ka vrarë atë, citon DPA zyrtarët e “Parsa Wildlife Reserve”, transmeton rel.
Elefanti i egër ka qenë pjesë e një tufe prej 21 elefantësh që lëviznin nga pjesa perëndimore në atë lindore të parkut, një lëvizje vjetore kjo gjatë të reshurave të dendura në Nepal. Nepali ka në tërësi 65 elefantë të egër në këtë park, dhe në tërësi 170 kafshë të njëjta në tërë vendin. Vrasja nga sulmet e elefantëve megjithatë nuk është diçka e pazakonshme në zonat e afërta me malet në Nepalin jugor.
ma.me