Ditën e djeshme në Kinoteatrin “Petro Marko” të Vlorës, Këshilli Bashkiak i këtij qyteti organizoi ceremoninë e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” tre personaliteteve të shkencës dhe të politikës, prof.dr. Sabit Brokaj, prof.dr. Paskal Milo dhe prof.dr. Pëllumb Xhufi.
Brokaj është profesor doktor në shkencën e mjekësisë. Me vendosjen e pluralizmit, ai është një nga bashkëthemeluesit e Partisë Socialiste dhe për disa legjislatura deputet i Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë. Pas revoltave popullore të vitit 1997, në Qeverinë e dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ai bëhet Ministër i Mbrojtjes, ku mbahet mend për ringritjen e strukturave të ushtrisë dhe kontributin e çmuar në Luftën e UÇK.
Paskal Milo, i lindur në Vlorë dhe i shkolluar këtu deri në arsimin e mesëm, ka zënë tashmë një vend të veçantë si pedagog, historian e studiues, pa harruar detyra të larta shtetërore në diplomacy, si ministër i Jashtëm, dhe kontributin politik. Sidoqoftë pasioni i tij i pandërprerë ka qenë fusha e historisë.
Pëllumb Xhufi gjithashtu vitet e vegjëlisë i kaloi në Vlorë në lagjen “Muradie”, qytet nga i cili, ndonëse larg me punë, nuk është ndarë asnjë vit, duke ruajtur gjithë miqtë e shokët e vegjëlisë dhe të shkollës. Xhufi shkollën e mesme e ka përfunduar për gjuhën latinishte dhe greqishte të vjetër, kurse studimet e larta i ka kryer në Universitetin “La Sapienza” në Romë në Degën e studimeve klasike,të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Pas kthimit në Shqipëri, ai ka punuar në Radio Tirana në sektorin e jashtëm e pastaj jeta e tij ka rrjedhur si një nga studiuesit shquar të historisë së mesjetës në Institutin e Akademisë së Shkencave. Për një periudhë të gjatë ka shërbyer edhe në diplomaci. Për kapacitetin e tij shkencor prof. Xhufi i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë.
*Drejtor i Muzeut Historik të Vlorës, Skënder Spahiu