Gjirokastra ishte ndalesa e radhës e Kryeministrit, Edi Rama në vazhën e tureve të tij elektorale.
Në fjalën e tij Rama tha se do i jepet fund një banditizmi që vijon prej shumë vitesh në këtë qytet, por edhe në gjithë Shqipërinë.
Ai tha se kandidatët e Partisë Demokratike janë bërë si agallarë, duke thënë se “kanë gjetur shesh e kanë bërë përshesh” me pyjet, kullotat dhe bagëtitë. Kryeministri theksoi se për secilin prej tyre do nisin hetimet dhe do vihen përpara drejtësisë për çdo shkelie.
“Do i japim fund një banditizmi që vijon prej shumë vitesh si ai që kërcënuan bashkfshatarët e tyre se do humbasin kullotat sikur ua kanë dhënë ata në në dorë kullotat. Se këta të PD-së kanë gjetur sheshe e kanë bërë përsheshe me pyjet, kullotat, bagëtitë, e janë bërë si agallarë. Për ta do vijojë edhe hetimit, për të gjitha grabitjet e tokave që u kanë bërë qytetarëve, gllabëritjes së pasurisë së tyre” – tha Rama.
Teksa foli për të mirat që sjell për çdo familje reforma e re territoriale, Rama tha se i kthen bashkitë në funksionin që duhet të kenë në shërbim të çdo qytetari, arsye për të cilën ka marë edhe pëlqimin e qytetarëve kur ka kaluar në parlament.
“Reforma jonë i kthen bashkitë në vendin e duhur dhe me shërbime u jep qytetarëve atë që meritojnë. Me se do e hedhin ata poshtë reformës tonë? Si? Ajo ka kaluar me 88 vota në parlament dhe është e diktuar nga qytetarët si reforma e duhur. Turp për një parti e cila duhet të ishte alternativa e shpresës dhe i kërkojnë qytetarëve të ecin në rrugën e gabuar, por ka ikur ajo kohë. Shqipëria do shkojë drejt modernizimit. Ndaj votoni Zamira Ramin në Gjirokastër dhe Luiza Mandri në Libohovë”, – tha Rama.