Nga Carlo Bollino
Për një politikan që i kërkon popullit ta votojë, në mënyrë që ta përfaqësojë atë në drejtimin e vendit, besueshmëria është gjithçka. Një politikan që humb besueshmërinë është i dënuar të humbasë edhe çdo të drejtë përfaqësimi. Një politikan që gënjen është në vetvete një politikan pa besueshmëri. Ka 25 vjet që Sali Berisha gënjen shqiptarët, por këto kohët e fundit, ndryshe nga në të kaluarën – kur nuk la gjë pa bërë për të fshehur gënjeshtrat e tij – nuk bën as përpjekjen më të vogël për t’i fshehur ato. Fotot e rreme me plantacionet e rreme të drogës së Edvin Shullazit (sikurse “doktorit” i pëlqen ta quajë kryeministrin), që Berisha i publikon në Facebook, prej muajsh tashmë janë kthyer në barcaleta në mbarë web-in.
Por tani nuk kufizohet me kopjimin e një fotoje të kanabisit, të shkrepur në Rusinë e viteve 1900, që ta paraqesë sikur është bërë dy ditë më parë në Vlorë. Jo, tani Berisha përzgjedh fotot në web dhe pastaj i manipulon: ndryshon fytyrat, shton tabela rrugore, po ashtu sikurse bënte Sigurimi i Enver Hoxhës në kulmin e arrogancës së vet. Kështu, pasi ka prodhuar një dokument të rremë, Berisha e publikon në faqen e tij në Facebook, duke e paraqitur si dokument të vërtetë. Me një fjalë, nuk është më vetëm gënjeshtar, por tashmë edhe falsifikator.
Ai është i lirë të bëjë vetëvrasje politike, por a është e drejtë që edhe të gjithë forcat e opozitës, në emër të të cilave vazhdon të flasë, të pësojnë të njejtin fat? A nuk beson Lulzim Basha se ka ardhur momenti të distancohet përfundimisht nga doktori i çmendur, për të shmangur rrezikun që ta përfundojë edhe ai para kohe karrierën e tij politike? Për Berishën e kemi kuptuar se besueshmëria nuk ka asnjë vlerë. Po për Bashën? Edhe ai beson se politika mund të bëhet duke falsifikuar realitetin?/a.m.