Sistemi bankar në Shqipëri karakterizohet nga një qëndrueshmëri si në strukturë edhe në ecuri. Këtë e deklaron Agjencia e Sigurimit të Depozitave në një raport vjetor të vitit 2015, në të cilin informon në lidhje me rritjen e numrit të depozituesve, por edhe me sigurinë e bankave në të cilat ruhet buxheti i shumë qytetarëve. Në një raport të detajuar, i depozituar në parlament, agjencia informon se janë bërë verifikime në 16 bankat e sistemit, nga të cilat rezultoi që po punohet shumë për përditësimin si dhe përmirësimin e cilësisë së të dhënave të depozituesve, edhe pse kjo ende mbetet sfidë. Ndërsa, për sa i përket strukturës burimi kryesor i fondeve përbëhet nga depozitat e individëve dhe mbështetja e aktivitetit me kapital mbetet në nivele të larta.
Ecuria e aktiviteteve është në rritje dhe po në rritje mbetet niveli i kapitalit. Kështu, në vitin 2015 totali i depozitave në sistemin bankar u rrit me 2.2% krahasuar me vitin pararendës, ndërsa në lidhje me raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit, mbetemi në nivelet 15.7%, pra shumë më lart se minimumi i kërkuar prej 12%, ndërkohë që edhe parametrat e likuiditetit janë në nivele të bollshme, në vlerën 41.4%. Gjatë vitit 2015, totali i depozitave të sistemit si edhe ato të individëve patën luhatje rritëse dhe zbritëse me norma të ndryshimit mujor relativisht të ulëta. Depozitat e siguruara që mbulohen plotësisht (depozitat që janë ≤ 2.5 mln lekë) përfaqësojnë 42% të depozitave të individëve dhe shuma e tyre në fund të 2015 është 368.17 mld lekë. Krahasuar me një vit më parë këto depozita u rriten me 5.5%, dhe numri i depozituesve që mbajnë këto depozita u rrit me 3.3%.
Në përputhje me Ligjin ‘Për sigurimin e depozitave’, në Janar të vitit 2015, u arkëtua nga Buxheti i Shtetit fondi themeltar për sigurimin e depozitave në SHKK (Shoqëritë Kursim Kredi) në vlerë 76 milion lekë. Ky fond, kontribut i Buxhetit të Shtetit, siguron bazën fillestare financiare të fondit të sigurimit të depozitave në SHKK. Gjatë vitit 2015, skema e sigurimit të depozitave ka pasur zhvillime të rëndësishme në kuadër të nismës ligjore të ndërmarrë nga Agjencia për harmonizimin e mëtejshëm të skemës me legjislacionin evropian në fushën e sigurimit të depozitave.
Qëllimi kryesor i kësaj nisme ligjore është përfshirja e depozitave të tregtarëve dhe shoqërive tregtare në depozitat e sigurueshme, në përputhje dhe me rekomandimet e rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, si dhe rekomandimet e misionit të Bankës Botërore në kuadër të planit të veprimeve për zbatimin e politikës së zhvillimit për modernizimin e sektorit financiar. Depozitat e individëve në lek të vendosura në banka arritën në fund të 2015 vlerën prej 453,5 mld lekë, krahasuar me 451 mld lekë në fund të 2014, duke shënuar një rritje prej 0.5%.
Këto depozita përbëjnë 51% të depozitave të individëve dhe në numër janë 2,121,930 me një vlerë të depozitës mesatare prej 214 mijë lekë, krahasuar me 2,078,043 depozita që ishin një vit më parë me vlerë të depozitës mesatare prej 217 mijë lekë. Depozitat në valutë përbëjnë 49% të depozitave të individëve dhe peshën më të madhe të tyre e kanë depozitat në euro.
Bien kreditë e këqija
Treguesi i kredive me probleme ka rënë në fund të vitit 2015 duke arritur në 18.2%, kundrejt 22.8% të një viti më parë. Fitimi neto i sistemit bankar në fund të vitit 2015 arrin në 15.7 miliardë lekë, kundrejt 11.2 miliardë lekë të një viti më parë. Ndërkohë është përllogaritur se fitimi neto ka qenë pozitiv dhe në mbështetje të rritjes së kapitalit. Me gjithë luhatshmërinë e tij, në vitet e fundit, prirja duket pozitive. Norma mesatare e ndryshimeve vjetore për shtatë vitet e fundit ishte 7.6%.
Si ka ndryshuar kufiri i depozitave që sigurohen?
Bazuar në Ligjin “Për sigurimin e depozitave”, Agjencia siguron deri në 2.500.000 lekë depozitat e individëve në çdo institucion bankar i cili është anëtar i skemës së sigurimit. Agjencia, gjithashtu, siguron deri në 2.000.000 lekë depozitat e individëve në çdo shoqëri kursim-krediti që është anëtare e skemës së sigurimit. Ndërsa, depozitat në valutë janë të siguruara deri në të njëjtën shumë dhe kompensohen në lekë, me kursin e këmbimit në ditën e ndërhyrjes nga Autoriteti Mbikëqyrës (Banka e Shqipërisë). Agjencia me ligj duhet të kompensojë depozituesit brenda 3 muajve nga data e ndërhyrjes nga Banka e Shqipërisë në një subjekt të siguruar. Sipas ligjit, Agjencia gjithashtu mund të përdorë metoda të ndryshme për shlyerjen e depozitave si p.sh. me anë të transferimit të fondeve që përfaqësojnë të drejtat e depozituesve të siguruar.
Ndërkaq, për shërbimin e sigurimit të depozitave subjektet anëtarë te skemës së sigurimit të depozitave i paguajnë Agjencisë prime periodike tremujore. Deri në vitin 2008, niveli maksimal i sigurimit të depozitave të individëve në bankat tregtare ka qenë deri në 700.000 lekë dhe pas këtij viti, ai u rrit deri në 2.5 milionë lekë. E pikërisht si rrjedhojë e kësaj ndërhyrjeje, niveli i depozitave të siguruara në sistemin bankar u rrit nga 16% në 50% të totalit të depozitave të individëve, duke dhënë kështu një sinjal të qartë për të gjithë depozituesit individë sa i takon sigurisë së kursimeve të tyre dhe stabilitetit të sistemit financiar në vend.
Sakaq, me ndryshimet e realizuara këtë vit në ligjin për sigurimin e depozitave, nga përfshirja në skemën e sigurimit përfitojnë për herë të parë rreth 7 mijë depozitues dhe mbi 100 shoqëri të kursim-kreditit në të gjithë vendin. Depozitat e individëve që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave arritën 889 mld lekë në fund të vitit 2015, krahasuar me 869.5 mld lekë që ishin një vit më parë, duke u rritur me 20 mld lekë, ose 2.3%. Këto depozita përfaqësojnë pjesën më të madhe të depozitave me rreth 83.8% të totalit. Numri i depozituesve individë që përfitojnë nga skema, në fund të vitit 2015 është 2,117,389, dhe krahasuar me një vit më parë është rritur me 65,499 depozitues ose e shprehur në përqindje rreth 3.2%.
ma.me