Valentina Tufina e njohur me nofkën “tezja e kokainës”, qan në seancën e gjyqit, ku po perballet me akuzën e trafikut nderkombetar të drogës. Ajo nuk është dëgjuar në seancë, pasi gjatë gjithë kohës ka qarë.
Prokuroria kërkoi dënim për të akuzuarit, ndërsa Bajram Tmava, avokati i Tufinës shprehu shqetësimin për mbajtjen që prej 2 vitesh në paraburgim të klientes së tij.
“Shqetësimi i parë ka qenë se pse është lejuar shtetasi i Shqipërisë të vijë në Kosovë kur është ditur qoftë prej organeve ndjekëse të Republikës së Shqipërisë, qoftë prej atyre të Kosovës që një sasi e substancës narkotike do të merret në Kosovë dhe pse i njëjti nuk është ndaluar në territorin e Republikës së Kosovës,” deklaroi Tmava.
Tmava tha me tej se klientja e tij është viktimë. “Besoj që ia ka punuar dikush, e kush është ai që ia ka punuar, as Republika e Shqipërisë e as ajo e Kosovës se ka sqaruar. Ia ka punuar dikush prej atyre që janë në arrati”,- tha avokati.
Prokuroria Speciale akuzon Veim e Vebi Berishën, Alban Zenën e Valentina Tufinën se gjatë muajit qershor të vitit 2014, në bashkëpunim me të pandehurit Reald Hysolli dhe Gëzim Çela nga Shqipëria, kanë blerë dhe poseduar kokainë për ta shitur. Sipas aktakuzës, kokaina në sasi prej 7 kilogramësh ka ardhur në Kosovë nga Shqipëria, ndërsa është përpunuar nga Valentina Tufina në shtëpinë e Veim dhe Vebi Berishës nga fshati Rosuj i Komunës së Pejës.
Kjo sasi kokaine pastaj e ndarë në 14 pako është transportuar përsëri në Shqipëri nëpërmjet Reald Hysollit.
BW/d.i.