Nga Carlo Bollino
Pas fotove bllof, të paraqitura dje në darkë nga Artur Zheji në një televizion kombëtar, duke i prezantuar si pamjet e para të nxjerra nga një seks-video hipotetike, me të cilën opozita po përpiqet prej disa ditësh të shantazhojë qeverinë, sot i njejti televizion transmetoi një foto bllof të dytë. Kësaj here bëhet fjalë për çimkën e gjetur në zyrën e sekretares së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Pikërisht si edhe në rastin e fotove false të Zhejit, edhe fotot e ABC News-it janë të rreme: ajo, çka televizioni e paraqet si një çimkë, në të vërtetë është një qark i zakonshëm i integruar, që kushton pak më shumë se një euro dhe që shërben për të rregulluar tensionin e energjisë elektrike për elektroshtëpijaket në banesa.
Kjo është sikur të tregosh një rrotë automjeti dhe të thuash: ja makina!
Problemi nuk qendron aq në faktin se ndonjë gazetar është i gatshëm për të sajuar scoop-e, vetëm e vetëm që të fitojë sadopak shikueshmëri, apo për të rritur ndonjë klikim të portalit të tij. Problemi i vërtetë është tek obeziteti informativ, që po përjeton Shqipëria, mjafton një shpifje e një njeriu të vetëm për t’u transformuar në një lajm me përmasa kombëtare: kjo, pasi ajo shpifje kopjohet dhe riprodhohet në qindra media të tjera, të cilat, në mungesë të gazetarëve të vet, gjithnjë gjuajnë lajme të prodhuara nga të tjerë.
E, më pas, kush nga lajmet është i vërtetë e kush jo, nuk i bëhet vonë kujt. Mjafton të mendosh se lideri i opozitës Sali Berisha shet çdo ditë për të vërteta lajme krejtësisht të sajuara, por, edhe kur demaskohet, bën sikur s’ka ndodhur gjë dhe, në vend që të kërkojë ndjesë, rifillon të sajojë përsëri.
(Foto e parë është marrë nga një katalog elektronik në web, foto e dytë “çimka” sipas ABC News).