Nga Skënder Minxhozi/
Teksa lexon listat e dekriminalizimit, me lloj-lloj emrash që dalin përditë në gazeta, fillon të kuptosh përmasat e fenomenit të tjetërsimit, por edhe të mjegullimit e të paqartësisë që rrethon (sot më shumë se kurrë), listat e të zgjedhurve në pushtetin qëndror dhe atë vendor të Republikës së Shqipërisë. Shumëkush kujton në këto momente, teksa Elvis Rroshi ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i bashkisë së Kavajës, ironinë therëse që përdorte dikur Edi Rama, kur i drejtohej publikisht, duke e thirrur me dy emra njëherësh. E pra, të paktën në rastin “Rroshi”, Rama dhe partia që ai drejton, kanë marrë këto orë një shuplakë të rëndë, nga ato që janë të destinuara të djegin për shumë kohë. Ajo që nisi si një një furtunë në gotën e ujit, me miratimin e një ligji që u tha se nuk do të prekte asnjë fije floku të asnjë personi me pushtet në Kuvendin e Shqipërisë apo në poltronat e qeverisjes vendore, sot rrezikon të kthehet në një tërmet politik të rrezikshëm për të gjithë maxhorancën. Në harkun e pak orëve, akuza “përdhunim” në skedinën penale të Rroshit, shënon një provë të rëndë kundër tij, por edhe një shigjetë të helmuar për partinë që e zgjodhi dhe liderin që i besoi.
Partia Demokratike (më saktë Berisha), kanë ditur kurdoherë që të marrin maksimumin e përfitimit politik nga zhurma që provokojnë në lidhje me temat që hapin. U shemb dynjaja dhjetë ditë të shkuara, për paisjen përgjuese të Interforcës italiane, megjithëse në katër vitet e mandatit të dytë të qeverisjes së PD ka pasur të dhëna konkrete se qeveria është investuar në përgjime, me aparatura të blera jashtë dhe me angazhimin e shërbimeve sekrete të ushtrisë. E megjithatë zhurma e ngritur asokohe nga opozita e majtë, as që i afrohet furtunës që shkaktoi paisja e “Sajmir Shullazit”, siç kanë për zemër ta quajnë ministrine brendshëm demokratët. Edhe tani, kur Rroshi dhe Rama ndodhen para trekëmbëshit virtual të opozitës dhe medias, pakkush flet për pjesën e listës së dekriminalizimit, që rrezikon të kapë opozitën, si në Kuvend me rastin Noka, ashtu edhe në pushtetin vendor.
Natyrisht që kjo ka të bëjë si me aftësinë e opozitës për të provokuar vëmendjen e opinionit publik, ashtu edhe me paaftësinë e pozitës për të vendosur balancat mes përgjegjësive të secilës palë. Por në fund të rrugës, duhet pranuar se është e majta ajo që del më e dëmtuar nga tuneli i dekriminalizimit. Megjithë deklarimet qetësuese të kryeministrit, sipas të cilit asnjeri nuk preket nga procesi.
Rama bën mirë të ulë tonet dhe të mos përqeshë e provokojë më, me faktin që dekriminalizimi dështoi dhe që gjithçka shkon vaj brenda partisë së tij. Sepse sot, kur deputetë të majtë kanë zënë qelitë dhe kur lista e krerëve vendorë ka më shumë se një pikëpyetje mbi krye, shefi i qeverisë dhe i partisë më të madhe të shumicës ka rastin të kuptojë (edhe një herë), se procesi i identifikimit, përzgjedhjes dhe caktimit të kandidaturave për pushtetin qëndror dhe atë vendor, nuk është as një gjest karshillëku dhe arrogance, e aq më pak një shou sfidues dhe shpërfillës i rregullave e forumeve partiake, nga baza e deri në krye të piramidës politike të PS. Rama ka dështuar me zgjedhjen e deputetëve dhe kryebashkiakëve: ky është morali i fabulës socialiste të katër viteve të fundit. Nuk ka fituar as athtësia e Blushit, as skepticizmi i të vjetërve e zhgënjimi i një pjese të mirë të bazës socialiste, por ka dështuar thjesht sjellja arrogante e kreut të Partisë, i cili ka insistuar në këto vite me kokëfortësi dhe stoicizëm, që të zgjedhë cilindo, pa pyetur e konsultuar askënd. Në parti dhe në ekzekutiv.
Kësisoj gjejmë në listat e dekriminalizimit lloj-lloj emrash e identitetesh, shoqëruar nga pas me lloj-lloj historish e fabulash që shpesh s’kanë asnjë lidhje me karrierat politike normale të elitave drejtuese të një vendi demokratik. Një vit nga zgjedhjet e përgjithshme, kryeministri ka rastin të korrë produktin e hidhur të farës që ka hedhur dy apo tre vjet më parë. Atëhere kur qeshte me emrat e të zgjedhurve të tij, duke besuar verbërisht, siç thotë Kandidi i Volterit, se “gjithçka shkon për mirë, në më të mirën e botëve”.