Përjashtimi 10-ditor i ish-kryeministrit Sali Berisha nga punimet e Parlamentit mund të rrezikojë takimin e pritshëm midis dy liderëve kryesorë të partive, Edi Rama i PS-së dhe Lulzim Basha i PD-së. Demokratët kanë mbledhur dje grupin parlamentar të PD-së ku kanë vendosur që t’i rikthehen bojkotit të Kuvendit me po aq ditë sa u dënua lideri historik i tyre, Berisha.
Mbledhja e grupit të PD-së u bë dje pa praninë e Bashës, por kryedemokrati ka mbajtur një qëndrim në rrjetet sociale, duke e cilësuar veprimin e mazhorancës si një mbyllje dere të opozitës. Përmes një reagimi në Facebook, kreu i opozitës, Lulzim Basha, e ka cilësuar përjashtimin e Berishës si një manovër të dyshes RamaMeta për t’i mbyllur çdo derë opozitës.
“Përjashtimi i ish-kryeministrit Sali Berisha nga Parlamenti me 10 ditë, është shenjë e krizës së rëndë ku gjendet Edi Rama me të tijtë. Kjo krizë ka arritur në nivelin ku nuk përballojnë më debat, nuk kanë argumente, kapen në flagrancë nga faktet e dëshmitë që provojnë krimin dhe korrupsionin e tyre dhe u ka mbetur të tregojnë vetëm kartonët në byro. Njëkohësisht, kjo është edhe një kujtesë e pështirë e dy standardeve të kësaj mazhorance të kalbur në krime, vese dhe korrupsion. Nga njëra anë nderohet vulgu i vulgut, Sadri Abazi që i thotë kundërshtarit të pres veshin, nga ana tjetër dënohet denoncuesi i të keqes, i aferave tronditëse, Sali Berisha. Kjo nuk bëhet për t’i mbyllur gojën opozitës, sepse kanë dështuar në mënyrë të përsëritur me këto metoda byroiste. Kjo është manovër e Edi Ramës dhe Ilir Metës për t’i mbyllur derën opozitës. Për t’i mbyllur derën në Parlament, në tryezat ku ajo duhet të jetë e pranishme”, shkruan Basha.
Përjashtimi i ishkryeministrit nga Parlamenti për një periudhë 10ditore dhe bojkoti i PD-të mund të bëhet arsyeja e anulimit të takimit që po negociohej, Rama-Basha.
BW/d.i.