Armando Meta
“Fjalë pak dhe punë shumë”. Kjo është një fjalë e urtë popullore për të cilën gjithnjë e më shumë kuptojmë se na ka marrë malli. Mjafton të hapësh ekranin e TV për të kuptuar se në mënyrën sesi qeveriset vendi, vetëm puna po duket gjithnjë e më pak, ndërsa llafet sa vijnë e shtohen gjithnjë e më shumë. Kryeministri, Edi Rama, duket se është bërë simbol i këtij fakti. Fjalimet e tij në inagurime, aktivetete të ndryshme me karakter ekonomik, politik apo të çfarëdo lloji tjetër, sa vijnë e bëhen kilometrike. Deri të padurueshme. Flet gati një orë nga një aktivitet në tjetrin, a thua se është në krye të punëve të këtij vendi për t’u paguar vetëm për të folur.
Janë realisht të pakuptueshme stërzgjatjet e fjalimeve të kryeministrit. Fjalime që nga kjo stërzgjatje ja humbin dhe peshën edhe rëndësinë aktivitetit që zhvillohet. Është e kuptueshme se në kohët e sotme njerëzit nuk janë më si më parë që “ta kishin ngenë”. Problemet në këtë vend janë një mal dhe lartësia e këtij mali nuk duket gjëkundi se po ulet. Dhe kësaj panorame problematike, vërtetë shqetësuese sa i përket nivelit të ulët ekonomik, ku jo pak biznese kryesisht të vogla po ulin qepenat, i shtohen edhe fjalimet kilometrike të Kryeministrit, i cili duket se pak e ka të qartë se njerëzit kanë nevojë për veprime konkrete që do të çonin në zbutjen e problemeve ekonomike dhe jo në fjalime pafund. Nuk mund të mbulohet “dielli me shoshë”, e natyrisht fjalët aq më pak mund të transformojnë realitetin që jetojmë.
Është vërtetë e vështirë të kuptosh sesi kreu i qeverisë vijon në të tijën dhe e ka të vështirë të kuptojë se vërtetë fjalimet e tij të stërzgjatura më shumë të acarojnë. Po të jetë për “llogje”, në fakt jemi një popull model në këtë drejtim. Por fakti që je kryeministër do të thotë se je aty jo si “kryellogjëtar”, por si kryeqeveritar.