Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka prezantuar përpara banorëve të njësisë nr 5 projektin e Sheshit Skëndërbeu, teksa u ka garantuar atyre se nuk do të lejojë ndërtimin e asnjë pallati nën digën e liqenit artificial.
Veliaj i është referuar edhe protestës së sotme të ndërtuesëve përpara bashkisë, duke thënë se ishte një rast i paprecedentë.
“Sot ndodhi që për herë të parë ndërtuesit e pallateve erdhën të protestojnë para bashkisë. E kuptoj që të protestojnë ata që kanë halle, po të protestojnë milionerët. Duan të bëhen më shumë milionerë seç janë, duke rrezikuar të drejtat e njerëzve.
Unë nuk jam zgjedhur në krye të Bashkisë nga milionerët por nga njerëz si ju, ndaj dua t’u shërbej juve.
Ndërtime tek diga nuk do të ketë.
Dhe nuk më intereson fare se çfarë mund të gatuajë një gjykatës, sesa mund të tundohen gjyqtarët, sesa para derdhen për këto gjyqe.
Nëse qytetarët e Tiranës nuk e duan, nuk do të ketë ndërtim tek Liqeni. Pronarët, edhe të vërtetët, edhe ata gjysmakët që erdhën sot, më bëjnë t’i them gjykatës që të mos tundohet. Do jemi këtu atë ditë, ku jo vetëm gropa do të mbyllet, pro të gjitha terrenet aty do të kthehen për qytetarët”, tha Veliaj.
kryebashkiaku ka sqaruar se, këndi i lojrave tek Parku i Liqenit do të mbarojë më 1 qershor, “pa kafene”, ndërsa faza e parë e Parkut Olimpik do të mbarojë në vjeshtë.
“Gjithë terrenet poshtë digës do të jenë në funksion të banorëve. Ndërtime tek diga nuk do të ketë, nuk më intereson çfarë gatuan një gjykatë. Nuk ka dyshim njeri as për këndin e lojrave dhe për faktin se askush nuk fshihej pas tij”, ka shtuar Veliaj. javanews/ a.k