Interesi mesatar i depozitave në lekë për të gjitha afatet e maturimit zbriti në muajin mars poshtë 1%, për herë të parë në histori. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar zbriti në 0.94%, nga 1.17% në muajin e mëparshëm.
Për depozitat me afat 1 vjeçar, më të preferuara nga kursimtarët, interesi ka zbritur afër 1%, ndërsa dhe për depozitat afatgjatë, (5 vjeçare), interesi ka rënë në rreth 3.5%.
Kursimet një dhe tre mujore japin një kthim afër zeros, përkatësisht 0.49 dhe 0.39%.
Që prej shtatorit 2011, kur Banka e Shqipërisë filloi politikën agresive të lehtësimit monetar, duke orientuar bankat të ulin interesat e depozitave e kredive, kthimi nga kursimet është ulur ndjeshëm. Në shtator 2011, nga depozitat 12 mujore, mund të merrje një fitim prej 5.9%. Rritja e tatimit mbi të ardhurat nga interesi nga 10 në 15% nga janari 2015 ka ulur dhe më tej të ardhurat që kursimtarët merrnin nga interesat.
Kjo rënie e interesave ka bërë që depozituesit të tërheqin paratë nga kursimet 1 vjeçare, duke i zhvendosur ato drejt alternativave të tjera si letra me vlerë, fonde investimesh, apo kursime afatgjata. Edhe në mars, depozitat me afat të individëve në lekë ranë me 1.7 miliardë lekë, ndërsa me bazë vjetore janë tkurrur me 10%.
Në total, depozitat në mars u rritën lehtë me 1 miliard lekë, në raport me një muaj më parë, ndërsa me bazë vjetore janë zgjeruar me 0.9%.
Ndërsa për kursimtarët rënia e interesave është një lajm i keq, për të gjithë ata që duan të marrin kredi në lekë, interesat janë më të lira se asnjëherë tjetër. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se norma mesatare e interesit të kredisë në lekë (për të gjitha afatet e maturimit) në mars të këtij viti zbriti në 7.3%, një rekord minimumi historik ky.
Në mars u shënua gjithashtu një rigjallërim i lehtë i kredisë me 2.7 miliardë lekë, për të dytin muaj radhazi. Megjithatë, me bazë vjetore, kredia për ekonominë ka rënë me 2%.
Në përpjekje për të nxitur ekonominë, Banka e Shqipërisë ka ulur 14 herë normën bazë 6 vitet e fundit, duke e çuar aktualisht në 1.5%.
Monitor/d.i.