Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi deklaroi sot në Kuvend se nga p/ligji ‘Për faljen e detyrimeve të ish-ushtarakëve në skemën e pensioneve suplementare’ përfitues janë 37% e tyre.
Në këtë kuadër, kësaj kategorie i falen 13 miliardë lekë, ose 20% e vlerës së pensionit, të cilin e paguanin më parë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, tha Klosi.
Falja e detyrimeve për ta vjen edhe në përputhje me një premtim elektoral të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, u shpreh ministri.
Ky projektligj ka një efekt prej 13 miliardë lekësh dhe i jep zgjidhje një problematike shumëvjeçare, e shkaktuar si pasojë e një kuadri ligjor, i konstestuar që në fillimet e hartimit të tij dhe në vazhdimësi, nga kjo kategori, si dhe i gjykuar e rrëzuar disa herë nga Gjykata Kushtetuese.
Zgjidhja e propozuar sipas projektit është falja e detyrimeve për 6 mijë ish-ushtarakë që kanë rezultuar debitorë si pasojë e efekteve prapavepruese të rillogaritjes së pensioneve në zbatim të një ligji të vitit 2010, si dhe të periudhës së gjatë të nxjerrjes dhe përpunimit të dokumentacionit mbi pagën mesatare referuese dhe periudhën e shërbimit