Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka sfiduar hapur Ambasadën Amerikane në Tiranë, e cila është investuar, si asnjë herë më parë, në luftën kundër korrupsionit elitar në Shqipëri, duke u bllokuar vizat gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve me pasuri të dyshimtë. Teksa kryediplomati amerikan në Tiranë, Donald Lu, në emër të Shtëpisë së Bardhës, ka deklaruar se, lufta kundër korrupsionit në drejtësi, duhet të nisë pikërisht nga hetimi i pasurive të pajustifikuara të gjyqtarëve, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe kryetari Bujar Nishani, mendojnë të kundërtën. KLD dhe Nishani kanë mundësuar emërimin e Arjan Qafës, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit.
Në datën 31 Mars të 2014, Qafa është kallëzuar në Prokurori nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë të pasurisë. Gjyqtari i dekretuar nga Nishani është kallëzuar asokohe, në cilësinë e ish-Inspektorit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, pra të njeriut, i ngarkuar me ligj, për kontrollin e punës dhe të integritetit të gjyqtarëve. Për rastin në fjalë, ILDKP njoftoi zyrtarisht KLD dhe Pastrimin e Parave, informon shqiptarja.com.
Nishani e promovon
Kur pritej që, KLD dhe kryetari i saj, Bujar Nishani, të paktën të mbanin një qëndrim distancues ndaj rastit në fjalë, befas Arjan Qafa është promovuar, duke u emëruar gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit. Sigurisht që nuk ka asnjë vendim gjykate për të rrëzuar apo konfirmuar akuzat e ILDKP mbi Qafën, por nxitimi i Nishanit për ta dekretuar personazhin në fjalë, komprometon vullnetin e shpallur të Presidentit dhe partisë së tij, pro reformës në drejtësi. Dekretimi shpërfill gjithashtu akuzat e ILDKP, ndërsa është një goditje edhe ndaj embargos amerikane për një numër të caktuar gjyqtarësh.
Votimi në KLD
Në fillim të këtij viti, KLD votoi për kandidatët, të cilët do t’i propozoheshin kreut të shtetit për t’u emëruar gjyqtarë në Gjykatën Administrative të Apelit. Në votim morën pjesë vetëm 10 anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kandidatja Fjoralba Prifti mori 10 vota, Enkeleda Softa nëntë vota, Arjan Qafa 7 vota, Bernina Kondi 7 vota dhe Amarildo Laçi 6 vota. Kandidatët në fjalë kaluan në raundin e parë, teksa iu propozuan kreut të shtetit për dekretim.
Dekreti
Në 15 mars të këtij viti, kreu i shtetit, Bujar Nishani, ka dekretuar ish-inspektorin e KLD, Arjan Qafës, i akuzuar nga ILDKP për fshehje pasurie, gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Administrativ. “Në mbështetje të neneve 93 dhe 136, pika 4, të Kushtetutës si dhe të nenit 12, të ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dekretoj z. Arjan Qafa, emërohet gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit. Nr. Dekretit 9463. Tiranë, më 15.03.2016”, thuhet në njoftimin e kreut të shtetit.