Evropa ndodhet përpara sfidash të mëdha përsa i përket krizës së refugjatëve – dhe këto kriza duhet të përballohen së bashku, mendon Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Steinmeier. Kjo shërbeu si sinjal dhe ndaj palës Polake gjatë vizitës së tij në Varshavë.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier ka folur gjatë vizitës së tij në Poloni rreth izolimit dhe debatet për krizën e refugjatëve në Bashkimin Evropian. Deri më sot ka pasur shumë sfida në Evropë. “Disa persona kanë të gatshme përgjigje krejt të thjeshta: izolim, caktim kufijsh, ngritje barrierash,” tha Steinmeier të Martën përpara forumit Gjermano-Polak në Varshavë. Veç kësaj do të krijoheshin imazhe armiqësore dhe do të nxitej frika. “Fatkeqësisht ka zëra të tillë dhe mes Gjermanëve dhe Polakëve.”
Steinmeier e lidhi kritikën e tij shprehimisht dhe me kandidatin Republikan në garën për President të SHBA, Donald Trump, të cilin e përmendi gjatë fjalimit të tij. Por në prapaskenë qëndronin dhe kritikat e kreut të partisë konservatore Polake në pushtet ”Ligj dhe Drejtësi” (PiS), Jaroslaw Kaczynski, ndaj politikës Gjermane.
Po këtë të Martë u ndez dhe debati gjatë takimit të ish-Kancelarit Gjerman Helmut Kohl me Kryeministrin Hungarez Viktor Orban. Orban që me ndërtimin e murit gjatë kufirit Hungarez është një nga kritikët më të mëdhenj të politikës së refugjatëve të qeverisë Gjermane në BE. Por edhe Polonia tregohet tepër e rezervuar në pranimin e planifikuar të refugjatëve Sirian në BE.
Brukseli akuzon qeverinë në Varshavë se po kufizon të drejtat e Gjykatës Kushtetuese. Për këtë qëllim Komisioni i BE-së ka hapur një procedurë hetimi. Pavarësisht protestave masive qytetare, në fillim të shkurtit hynë në fuqi ligjet e reja të mbikëqyrjes, me anë të të cilave policia, hetuesit e anti-korrupsionit dhe agjencitë sekrete të zbulimit kanë ndër të tjera mundësinë për të monitoruar në mënyrë të pakufizuar trafikun e internetit dhe të mbledhin të dhënat e përdoruesit pa autorizim gjyqësor paraprak. Një ligj i ri në media parashikon se pozicionet drejtuese në median publike caktohen në të ardhmen nga qeveria.
Steinmeier i shmangu në fjalimin e tij kritikat e drejtpërdrejta ndaj Varshavës zyrtare, por përmendi Kushtetutën e parë Polake të vitit 1791. Në themel të kësaj kushtetute ishin parimet e shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve. “Këto janë parime të rrënjosura kushtetuese Polake dhe Evropiane, dhe ashtu duhet të qëndrojnë,” tha ai.
Me rastin e 25 vjetorit të Marrëveshjes së Fqinjësisë mes Gjermanisë dhe Polonisë Steinmeier solli gjithashtu në pah miqësinë mes dy partnerëve të BE. Marrëveshja e Fqinjësisë u nënshkrua në vitin 1991 pas Bashkimit të Gjermanisë. Në korrik synohet të ofrohen konsulta të përbashkëta mes dy qeverive në Berlin.
(Artikull i Der Spiegel, titulli në origjinal “Besuch in Polen: Steinmeier warnt Europäer vor Abschottung“)
Përktheu Horald Kulli