Ministria e Financave ka publikuar treguesit fiskalë paraprakë për tremujorin e parë 2016. Sipas një njoftimi për shtyp, të ardhurat e përgjithshme janë realizuar në masën 95.8 miliardë lekë, ose afërsisht 1.4 milionë lekë më shumë se plani 3-mujor i vitit 2016.
Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat, përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT, u realizuan në vlerën 84,8 miliardë lekë, që do të thotë 12.4 miliardë lekë, ose 17.27% më shumë se 3-mujori i vitit të kaluar dhe 2.7 miliardë lekë më shumë se plani, ose 3.34%.
Sipas njoftimit, të ardhurat nga taksat doganore janë realizuar në vlerën 1.3 miliard lekë, ose 2.51% më shumë se 3-mujori i vitit 2015 dhe një performancë 0.38% mbi planin e kësaj periudhe.
Të ardhurat nga akciza, vijon njoftimi zyrtar, janë realizuar në vlerën 8.5 miliardë lekë, ose 21.71% mëshumë se një vit më parë dhe 10.87% më shumë se plani.
Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së sasisë së cigares së importuar me 190 tonë, ose 44% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015.
Të ardhurat nga renta minerale janë realizuar në vlerën e 536 milionë lekëve, -17.7% krahasuar me 3-mujorin e vitit 2015, duke reflektuar rënien drastike të çmimit të naftës bruto në tregun ndërkombëtar.
Ndërsa të ardhurat nga TVSH-ja në import janë realizuar në vlerën e 21 miliardë lekëve, çka do të thotë se kontributi në të ardhura nga ky zë është 4.98% më shumë se 3-mujori i vitit 2015 dhe një realizim i planit në masën 99.8%. TCH