Rritja e fondeve për kompensimin e ish-pronarëve ishte amendamenti që propozoi deputeti demokrat Oerd Bylykbashi në parlament. Ai u shpreh se qeveria e ka ulur fondin në buxhetin e këtij viti sepse socialistët nuk duan të kompensojnë ish-pronarët.
“Në vitin 2024, buxheti parashikonte 5 mld lekë për kompensimin financiar. Këtë vit e keni ulur me 2 mld, e keni çuar në 3 sepse ka një arsye shumë të thjeshtë. Ju thjesht nuk doni ta bëni këtë. Në 12 vitet e qeverisjes suaj keni prodhuar një mekanizëm për kthimin dhe kompensimin e pronës që ka një synim si mos ta kthejë pronën dhe atë që më pas ju thoni që ju takon kompensimi, as atë mos ta marrin. Kur i vjen radha i degdisni nëpërmjet një sistemi gjyqësor që i mban zvarrë për 8 10 12 vjet”, tha Bylykbashi.
Sipas tij qeveria ka thelluar borxhin që shteti ka me ish-pronarët dhe të përndjekurit politikë. Sipas tij këtë borxh “duhet ta shlyejmë sa më parë”.
“Ju keni zëvendësuar grykën e pushkës të ’44 me kontrata për koncesionarët sepse shpresoni që Kodi Civil ta mbrojë grabitjen që keni bërë. Pronën nuk ua jepni pronarëve, por strategjikëve tuaj, shpeshherë edhe qesharakë, komedianë. Ia keni marrë qytetarëve 80 vjet përpara dhe nuk ia ktheni. Kompensimi financiar duhet të jetë ai kamzhiku që i detyrën të gjithë, parlamentin, të parin, qeverinë po ashtu që për hir të këtij detyrimi të madh që ka të përpiqet të bëjë çmos që pronën ta kthejë të lirë tek pronarët”, tha Bylykbashi.
Atij iu përgjigj Ministri Ulsi Manja. Në replikën e tij, Manja tha se kjo që po bën opozita sot në Kuvend është një propagandë bajate.
“Kemi kompensuar 1626 subjekte, ca është kjo propagandë bajate? Ne ish-pronarët janë votuesit historikë tuajit, por ju përherë i keni shfrytëzuar për vota dhe në asnjë moment nuk jeni ndalur të qani hallet e tyre. Ju vini e propozoni një amendament që është diskutuar, po ua them unë. Buxheti për ish-pronarët do të jetë 5.3 mld në 2026-ën, 5.3 mld në 2027-ën dhe 7.63 mld në 2028-ën.
Në fund me 28 vota pro e 65 kundër u rrëzua edhe amendamenti i deputetit të PD, Oerd Bylykbashi për kompensimin e pronave.
/a.r