Nga Ben Andoni / JavaNews
Do ishte deklarata e fundit e kryeministrit Rama për futjen e fesë në shkolla që të mobilizonte një fushatë të tërë sa i përket kësaj çështje. Edhe pse strukturat e arsimit shqiptar ishin krejt të panjohura, do ishte dalja në shtyp e ministres së Arsimit që do të daraviste disi hamendësitë e shumta.
Për hir të së vërtetës, religjioni i ka bërë ballkanasit, që t’i kthehen shumë herë të kaluarës së tyre të mjegullt në histori. Ndërkohë, shumë syresh, janë ngulur tek ajo, për “të zgjidhur” problemet e panumërta të së tashmes. “Magjepsja me mitin e Kosovës dhe besimin se serbët në të gjitha luftërat në këto hapësira kanë qenë ata që e kanë pësuar, kanë pasur një influencë të fuqishme në rolin e Kishës Ortodokse Serbe në dhjetëvjetëshin e fundit luftarak në ish – Jugosllavinë”, shkruan një publiciste e njohur serbe.
Në këtë speciale për JAVAnews kemi përfshirë shkurtimisht disa shkrime të përgatitura në kuadër të një projekti të dikurshëm të AIM-it, që hedhin një dritë mbi të vërtetën e besimit në Ballkan. Një fokus interesant që ka ndriçuar zhvillimet e reja të besimit në gadishull, pas rënies së komunizmit. Në këto shkrime përgatitur nga autoritete të publicistikës vite më parë kupton se pse dhe si Kisha sllave ndikoi në luftën e madhe në Kosovë dhe realitetet që përcjell ajo, tek besimtarët e sotëm serbo-malazeze. Pse kisha ortodokse serbe ka qenë gjithmonë në pararojë të lëvizjeve të rëndësishme në vend dhe një peizazh të besimit fetar në ditët e sotme? Po ashtu kemi një pasqyrim të fesë tek fqinjët tanë lindorë, maqedonasit, ku problemi i religjionit ka një kah tjetër. Në web sitin zyrtar të Qeverisë maqedone konkludohet se: 1.5 milionë qytetarë janë të besimit ortodoks; të dhëna për numrin e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera fetare nuk jepen. “Me një krahasim të thjeshtë të të dhënave të ofruara, mësohet tepër lehtë se është zbatuar një metodë mjaft e thjeshtë: përqindja e banorëve ortodoksë është e barabartë me atë që është deklaruar se është e nacionalitetit maqedon, numri i myslimanëve gati fije për pe është identik me numrin e qytetarëve që në regjistrim janë deklaruar si shqiptarë, turq, boshnjakë ose romë”, thuhet në shkrimin qe është shkruar nga Maqedonia. Prezantimi i këtyre shkrimeve sjell një fashë drite mbi religjionin. Dhe kanë qenë penat e publicistëve të njohur nga vendet e ndryshme të Ballkanit, që kanë nxjerrë në pah, në këtë Dossier, që po e botojmë të rrudhur, problematikën e besimit në Ballkanit.
FEJA SI REZISTENCE NDAJ MODERNIZIMIT
Serbia
Magjepsja me mitin e Kosovës dhe besimin se serbët në të gjitha luftërat në këto hapësira kanë qenë ata që e kanë pësuar, kanë pasur një influencë të fuqishme në rolin e Kishës Ortodokse Serbe (SPC) në dhjetëvjetëshin e fundit luftarak në ish – Jugosllavinë. Pësimi mesjetar i serbëve nën pushtuesit turq, simboli më i madh i të cilit është Beteja e Kosovës në Gazimestan e vitit 1389, pësimi në Luftën e Parë, pastaj edhe në Luftën e Dytë Botërore dhe pamundësia për t’u çliruar nga kjo trashëgimi kanë qenë arsye që KOS (SPC) luftërat në ish-republikat jugosllave t’i identifikojë me mbrojtjen e serbizmit dhe të ortodoksisë. Deri në fund të shekullit tashmë të kaluar, Kisha do të mbetet në linjën që serbët në luftërat në Kroaci, Bosnjë dhe në Kosovë kanë mbrojtur të drejtën në jetë, identitetin nacional dhe fetar. Raportet mbi krimet e serbëve mbi popullatën joserbe, KOS (SPC), për një kohë tepër të gjatë do t’i quajë gënjeshtra dhe hapur do të vihet në mbrojtjen e atyre që bota i ka akuzuar për krime lufte, si në rastin e ish – liderit të serbëve boshnjakë, Radovan Karaxhiçit, citohet Olivera Mamuzoviç, që ka përgatitur të gjithë pjesën e Serbisë për AIM.
Zhvendosja e KOS (SPC) nga kuadrot e zhvillimeve shoqërore dhe politike, ku kishte qenë në Jugosllavinë e Titos pas Luftës së Dytë Botërore, ndodhi paralelisht me valën e madhe nacionaliste në Serbi. Se Kisha kishte dalë nga hija ishte e qartë që në vitin 1989, kur serbët në Gazimestan shënuan 600 vjetorin e betejës së Kosovës – me ikona ortodokse, fotografitë e prijësit të madh të ardhshëm dhe me korin e priftërinjve të KOS (SPC). Kisha, në atë kohë, dy vjet para fillimit të luftës, e ndihmoi shefin partiak të atëhershëm të socialistëve serbë, Sllobodan Millosheviçin, për rehabilitimin e programit nacionalist, i cili do të bëhej shkëndija vendimtare në përleshjet e përgjakshme që do të pasonin. Luftërat, të cilat, me alibinë e ruajtjes së shtetit të përbashkët të Jugosllavisë, i udhëhoqi Millosheviçi, KOS (SPC) i ka mbështetur, duke ia veshur popullit serb edhe rolin mesianik bashkë me atë të popullit viktimë. Mitropoliti malazez-bregdetar, Amfillohije, në fillim të konflikteve luftarake e porosiste popullin serb se “fati i tij është që ta bartë kryqin në këtë udhëkryq të zjarrtë të botërave të ndryshme”, dhe “për këtë arsye populli serb është një popull hyjnor”. KOS (SPC) e ka identifikuar religjiozen me nacionalen, duke iu falënderuar rolit historik kompleks – në kohën e sundimit shumëshekullor otoman. KOS e ka ruajtur identitetin nacional serb, ndërsa në shekullin CAPut!’ ka luajtur një rol vendimtar në emancipimin nacional dhe krijimin e shtetit serb të pavarur.
KOS (SPC), gjatë luftërave në ish-Jugosllavinë, kurrë nuk ka deklaruar zyrtarisht me një gjuhë të hapur urrejtjeje kundër myslimanëve apo kroatëve, por e ka mohuar që serbët e Bosnjës të kenë kryer çfarëdo krimesh mbi ta, duke pohuar se ata vetëm janë mbrojtur. Kështu, në vitin 1993, në deklaratën e Sinodit të Shenjtë Peshkopal është thënë që KOS: “në bazë të dëshmive të vëllezërve peshkopë nga BH, vërteton, duke marrë mbi vete përgjegjësinë morale të plotë, që kampe përqendrimi të tilla as që kanë ekzistuar dhe as që ekzistojnë”. Gjatë kësaj kohe, në vetë Serbinë, KOS (SPC) ka kultivuar në nivelin protokollar marrëdhënie të mira me Bashkësinë Islame, si dhe me Kishën Katolike.
Një kthesë në marrëdhëniet midis prijësit serb dhe KOS (SPC) ka ndodhur së pari në vitin 1994, kur Millosheviçi vendosi embargon kundër serbëve të Bosnjës nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare. Kisha në atë kohë e anatemoi publikisht Millosheviçin. Sinodi i Shenjtë e dënon bllokadën “kundër vëllezërve të pagëzuar” në gusht të atij viti, ndërsa disa peshkopë bëjnë thirrje të hapura për rezistencë ndaj “tradhtarit Millosheviç”. Kisha, ndërkaq, një vit më vonë e mbështeti kthesën e re në politikën e Millosheviçit, i cili, nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare dhe problemeve në shtetin e tij, i kthehet rolit të krijuesit të paqes. Kështu, patriarku serb Pavle do ta vendoste edhe nënshkrimin e tij në “autorizimin” me të cilin Millosheviçi, si negociator universal serb, do të udhëtonte në Dejton. Një ftohje e re në marrëdhëniet midis KOS (SPC) dhe pushtetit serb pasoi gjatë protestave qytetare për shkak të vjedhjes së votave në zgjedhjet lokale të vitit 1996. Kisha, pas një hezitimi të shkurtër, i mbështeti protestat pasi ato u bënë masovike dhe policia filloi të ushtrojë forcën mbi demonstruesit.
Aleanca e SPC dhe Millosheviçit u shkëput definitivisht me luftën që e përfshiu Kosovën. Që nga konflikti në Kosovë, nga shkurti i vitit 1998, KOS (SPC) nuk e dënonte pushtetin serb për shkeljet brutale të të drejtave të njeriut të popullatës shqiptare, por e dënonte Millosheviçin për arsye se më nuk e respektonte si bashkëbiseduese lidhur me një çështje aq të rëndësishme për të. Millosheviçi i ka injoruar përpjekjet e KOS (SPC) që të jetë një ndër negociatorët në Rambuje, si dhe aleancën e Kishës me liderët e serbëve të Kosovës, të cilës i prinin peshkopi i Rashkës-Prizrenit, Artemije, dhe Momçillo Trajkoviç, lider i Lëvizjes Serbe të Rezistencës (SPOT) nga Kosova.
Për KOS (SPC), Kosova është një tokë e shenjtë shekullore serbe dhe për këtë arsye e ka përjetuar në mënyrë aq tragjike fitoren e forcave të NATO-s dhe tërheqjen e ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova. Pas eksodit të serbëve të Kosovës, Kisha e ka akuzuar publikisht Millosheviçin për tradhti të interesave serbe. Në qershor të vitit 1999, KOS ka kërkuar dorëheqjen e tij dhe ky ishte fundi faktik i aleancës. Populli serb i kishte bartur pranë e pranë fotografitë e shenjtorëve me ato të Millosheviçit, ndërsa dhjetë vjet më pas KOS (SPC) ishte e mundur ashtu si edhe Millosheviçi. KOS (SPC), e cila kishte vendosur ta mbështesë pushtetin për mbrojtjen e idesë së madhe nacionale, ishte e zhgënjyer dhe fliste hapur se kishte qenë e manipuluar. Si në rastin e KOS (SPC), u tregua qartë se shumë njerëz në Serbi e braktisën Millosheviçin jo për shkak të luftërave që i kishte zhvilluar, por pse i kishte humbur ato. Anketat e opinionit publik nga ajo periudhë tregonin që gati dy të tretat e qytetarëve të Serbisë e kishin humbur besimin te KOS (SPC) dhe e konsideronte kontestues rolin e saj në ato luftëra.
KOS (SPC) për më pak se një vjet të sundimit të DOS-it e përmbushi një pjesë të mirë të qëllimeve të saj, ç’gjë nuk i shkoi për dore gjatë sundimit të Millosheviçit edhe krahas mbështetjes shumëvjeçare që ia kishte ofruar. Së pari, arriti të sigurojë futjen e mësimit të fesë në shkollat shtetërore, edhe përkundrejt faktit se, në Kushtetutën e vitit 1992 në fuqi ende Kisha dhe shteti janë të ndarë. Gjithashtu, po përgatitet ligji për kthimin e pronës kishtare, e cila i është marrë pas Luftës së Dytë Botërore në dy valë. Me Ligjin për Reformën Agrare të vitit 1946, sipas të dhënave të vetë KOS, janë konfiskuar rreth 70.000 hektarë tokë dhe pyje. Pastaj në vitin 1958 është miratuar Ligji për Nacionalizimin dhe KOS ka mbetur në atë kohë, pa gati 2000 godina të saj. Në Beograd është nacionalizuar praktikisht gjithçka përveç ndërtesës së Patriarkanës.
KOS (SPC), që nga ndërrimi pushtetit në Serbi, është në një ngritje evidente, e cila do të jetë edhe më e fuqishme kur me kthimin e pronave të bëhet financiarisht edhe më e fortë. Për influencën e saj mbi pushtetin në Serbi flet mjaft rasti i dorëzimit të Millosheviçit në Tribunalin e Hagës. KOS (SPC) e ka pranuar këtë lajm me një kundërshtim të fuqishëm, ndërsa peshkopi Amfillohije ka porositur fare hapur se është sakrilegj që një gjë e tillë është bërë në festën e madhe fetare, për Vidovdan (29 qershor). Një rezultat i qartë i presionit mbi pushtetin mund të vërehej që pas disa ditësh, kur kryeministri serb, Zoran Gjingjiç, e premtoi miratimin e dekretit për futjen e mësimit të fesë në shkollat publike.
****
MOZAIKU RELIGJIOZ MAQEDON
Maqedonia
Deri në shpërthimin e krizës më të re në shkurt të këtij viti, Maqedonia konsiderohej si një ishull tolerance në detin e trazuar të konflikteve ballkanike. Që nga ajo kohë shumë gjëra kanë ndryshuar
Sipas të dhënave, që në Maqedoni konsiderohen si zyrtare, 66 % e qytetarëve të vendit të vogël dymilionësh i përkasin religjionit ortodoks, 30 % e qytetarëve janë të besimit mysliman, një për qind janë katolikë, ndërsa 3 % të tjerë janë dishepuj të religjioneve të tjera. Në ëeb-prezentimin zyrtar të Qeverisë maqedone thuhet se: 1.5 milionë qytetarë janë të besimit ortodoks; të dhëna për numrin e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera fetare nuk jepen. Me një krahasim të thjeshtë të të dhënave të ofruara, mësohet tepër lehtë se është zbatuar një metodë mjaft e thjeshtë: përqindja e banorëve ortodoksë është e barabartë me atë që është deklaruar se është e nacionalitetit maqedon, numri i myslimanëve gati fije për pe është identik me numrin e qytetarëve që në regjistrim janë deklaruar si shqiptarë, turq, boshnjakë ose romë. Vetë krerët e komuniteteve fetare e kanë pranuar me mjaft dashamirësi këtë metodologji. Tërthorazi, as shteti, as komunitetet fetare nuk kanë lënë shumë hapësirë për qytetarët që i përkasin ndonjë religjioni tjetër, ose ata që janë ateistë, për ç’arsye ka pasur kritika publike kohë pas kohe, posaçërisht në kohën e përpjekjeve për ta futur mësimin e fesë në shkolla, citohet ZHELJKO BAJIÇ, i cili e ka përgatitur pjesën e Maqëdonisë Kushtetuta e Maqedonisë, e aprovuar në ditët e para të pavarësisë para plot 10 vjetësh, duke e parë nga një distancë dhjetëvjeçare, ka mbrujtur në vetvete ngapak romantizëm politik. Liritë fetare janë të garantuara, por, megjithatë, është theksuar roli i veçantë i Kishës Ortodokse Maqedone, si njërës nga shtyllat e qenies nacionale maqedone. Ligji për komunitetet fetare, i aprovuar pas gjashtë vjetësh, e ka respektuar po atë veçanti që, asohere, te prelatët e lartë të komuniteteve religjioze të tjera do të shkaktonte reaksione negative të thëna publikisht, por që zgjatën një kohë të shkurtër. “Me Ligjin favorizohet Kisha Ortodokse Maqedone, ndërsa me nenet e tij – Ligji sikur i dedikohet një shteti mesjetar”, e ka komentuar atë më 1997 Ivan Grozdanovski, kryetar i Lidhjes së të Krishterëve – Baptistë, duke i theksuar autorizimet tepër të gjera të komisionit qeveritar për marrëdhënie me komunitetet fetare. Bashkësia Islame i ka shprehur kritikat e veta, por edhe të të tjerëve, duke vlerësuar se Ligji e ka kufizuar grumbullimin e kontributeve vullnetare dhe ashtu rrezikon mbijetesën e komuniteteve fetare. Edhe raportet ndërkombëtare për gjendjen e të drejtave të njeriut në një formë të butë kanë theksuar gjatë viteve të mëparshme faktin se ky Ligj përcakton një administrim tepër të madh.
Një nga çështjet rreth të cilës po thyhen shtizat, muajve më të fundit në segmentin politik të krizës maqedone, ka të bëjë edhe me statusin e ardhshëm të Kishës Ortodokse Maqedone. Përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët arritën në Shkup në fillim të verës për ta lehtësuar procesin politik, kanë këmbëngulur për ndryshime kushtetuese që do të krijonin karakterin plotësisht qytetar të një shoqërie multietnike, multikonfesionale dhe multikulturore, sikurse konsiderohet shoqëria maqedone. Në këtë kontekst, si një nga nenet “e kontestuara” të Kushtetutës, është “vënë në shënjestër” edhe neni CAPut!’ i Kushtetutës. Në aktin ekzistues më të lartë juridik të vendit, njëkohësisht të parin, pozita e komuniteteve fetare është rregulluar në mënyrën si vijon: “Garantohet liria e besimit. Garantohet shprehja e lirë religjioze, individualisht ose në bashkësi me të tjerët. Kisha Ortodokse Maqedone, komunitetet tjera fetare dhe grupet religjioze janë të ndara prej shtetit dhe janë të barabarta para ligjit…”.
Thelbi i ndryshimit kushtetues të propozuar ka të bëjë me futjen në nenin kushtetues aktual, në mënyrë taksative, krahas Kishës Ortodokse Maqedone, edhe të Bashkësisë Islame në Maqedoni dhe te Kishës Katolike. Mirëpo, reagimet në opinionin publik, e posaçërisht në kreun e KOM, ishin emotive dhe të bujshme. Sinodi i KOM (trupi më i lartë kishtar) ka bërë apel me anë të letrave te kryetari i Repulikës, Qeveria dhe kryetari i Kuvendit që të hiqet dorë nga intervenimi kushtetues i përmendur më lart. Si një mjet të fundit që, siç duket, i kishte mbetur, Sinodi ka paralajmëruar se do të “vihen në ‘shtyllën e turpit’të gjithë ata deputetë që do ta mbështesin amandamentin që ka të bëjë me pozitën kushtetuese të KOM”.
Hidhërimi i kreut kishtar bëhet i kuptueshëm nëse dihet që gjatë një dhjetëvjetëshi të pavarësisë maqedonase ka ekzistuar një lloj lidhjeje e butë me shtetin. Bashkëngjitur me këtë, KOM ka një pozitë të veçantë midis simotrave ortodokse: kontesti rreth statusit me Kishën Ortodokse Serbe nuk është tejkaluar, ndërsa, duke anuar drejt KOS, 14 kisha ortodokse, as sot e gjithë kohën, nuk e kanë pranuar mëvetësimin e Kishës Ortodokse Maqedone.
Ish-Kryeministri Georgievski, në një intervistë në fillim të mandatit, ka paralajmëruar krenar se prona e Kishës Ortodokse Maqedone, e nacionalizuar pas Luftës së Dytë Botërore, do t’i kthehet përsëri. Disa vlerësime thonë se Kisha ka humbur me nacionalizimin 90% të pronës, që e kishte deri në vitin 1945. Mediat nuk kanë arritur të mësojnë se për çfarë prone dhe sa prona bëhet fjalë, por krerët kishtarë theksojnë se Kisha ishte pronare pyjesh, kullotash, ndërtesash, dyqanesh, shtëpish banimi… Gjatë tre vjetëve të shkuar gjërat nuk kanë ndodhur me shpejtësinë që e kishte paralajmëruar kryeministri, prandaj nuk është shkuar shumë larg nga pika e nisjes. Në vend të kësaj, shteti ia ka dhuruar Kishës Ortodokse Maqedone disa objekte në Ohër, ndërsa opinioni nuk arriti të mësojë kurrë shumë detaje për atë dhuratë aq zemërgjerë.
Mirëpo, siç presupozojnë disa ekspertë, Kisha Ortodokse Maqedone, nëse shteti ia kthen asaj vërtet gjithë pronat, do të mund të kishte konteste me Kishën Ortodokse Serbe, të cilës kjo pronë i është marrë formalisht. Midis Kishës Ortodokse Maqedone dhe Kishës Ortodokse Serbe ende nuk është zgjidhur konflikti rreth autoqefalisë së KOM, ndërsa problemi i pronës vetëm do të mund t’i komplikonte gjërat edhe më shumë. Nuk përjashtohet as mundësia që KOS, në të ardhmen, kontestin pronësor ta bartë në terrenin ndërkombëtar – para ndonjërës nga gjykatat ndërkombëtare.
Me Bashkësinë Islame rasti është juridikisht i pastër. Kjo Bashkësi dikur posedonte prona të mëdha në Shkup dhe në qytete të tjera të Maqedonisë. Për shembull, dihet që në pronësi të Bashkësisë Islame deri në vitin 1945 kanë qenë toka me sipërfaqe prej katër milionë metra katrorë. Një magazinë opozitare para ca kohësh presupozonte që brenda Bashkësisë Islame janë krijuar mospajtime të natyrave të tjera. Në të vërtetë, partitë politike të shqiptarëve i kanë ashpërsuar, gjoja, mospajtimet midis tyre. Gazetat në gjuhën maqedone pohonin që Partia Demokratike Shqiptare, si më me influencë në bllokun politik shqiptar, ka arritur të bëjë ndryshime në kreun e BI. Pikërisht prona ishte në prapavijë të konfliktit. Disa media kanë tërhequr vërejtjen se nëse iu kthehen pronat komuniteteve fetare, Maqedonia do ta kthente orën njëqind vjet mbrapa. Më saktë, komunitetet fetare do të mund të bëheshin pronarë dominues dhe kjo me kohë do të mund të pasqyrohej në fuqizimin e klerikalizmit. Se a është kjo frikë e arsyeshme, nuk është aq e lehtë të gjykohet.
Në idilën e pazëshme të kishës dhe shtetit, viteve të shkuara, janë aktualizuar disa mite që kanë zënë një vend të rëndësishëm në historiografi, arsim dhe media. Në këtë kategori gjithsesi bëjnë pjesë pohimet se maqedonët janë një “popull biblik”, se Kisha Ortodokse Maqedone është “djep i kishave ortodokse të tjera” dhe ca të tjera.
Gjithnjë deri në shkallëzimin e krizës në Maqedoni tensionet midis komuniteteve fetare praktikisht ishin të pavërejtura. Mirëpo, konflikti i armatosur i forcave maqedone të sigurisë dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare shkaktoi një rritje ekstreme të tensioneve. Gjatë veprimeve ushtarake është shkatërruar ose dëmtuar një numër i madh objektesh fetare – ekskluzivisht ortodokse dhe islame. Të dhënat ende nuk janë prezentuar zyrtarisht, por është e njohur që disa kisha ortodokse dhe manastire janë shkatërruar gati tërësisht, një numër më i madh ka pësuar dëmtime. Nga ana tjetër, sipas të dhënave që ishte e mundshme të sigurohen, janë shkatërruar ose dëmtuar rreth pesëdhjetë objekte religjioze islame. Në kohën e kulminacionit të krizës kanë ndodhur edhe disa incidente, të cilat e kanë zbuluar edhe një dimension, gjer atëherë të panjohur: pjesëmarrësit e disa tubimeve protestuese pas vrasjes së disa pjesëtarëve të forcave maqedone të sigurisë, ndër të tjera, kanë djegur objekte religjioze islame në Prilep dhe Manastir. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vënë re se kjo është hera e parë që jotoleranca fetare të shprehet në një mënyrë të këtillë brutale. Deklaratat e disa personaliteteve religjioze, si në radhët e Kishës Ortodokse Maqedone, ashtu edhe në radhët e Bashkësisë Islame, kanë përmbajtur elemente të mjaftueshme që të mund të konsiderohen si shprehje e intolerancës fetare. Me ndërmjetësimin e Këshillit Botëror të Kishave, në fillim të verës në Gjenevë, krerët e katër komuniteteve fetare më të mëdha kanë nënshkruar “Deklaratën e përbashkët për paqe”. Për fat të keq, efekti i saj në opinionin maqedon ishte i papërfillshëm.
***
REPUBLIKA SERBE e Bosnjës: FEJA DHE IDENTITETI
Kushtetuta e RS e ka vënë Kishën Ortodokse Serbe gati në pozitën e kishës shtetërore, me ç’farë krijohet faktikisht pabarazia midis komuniteteve fetare.
As sot e gjithë kohën nuk është sqaruar pyetja, të cilën e shtron në librin e tij “Lufta botërore e religjioneve: kryqëzatat e amshueshme në Ballkan” gazetari gjerman në zë, Peter Shol Latur: “A është ky konflikt i egër shprehje e luftërave religjioze të ndrydhura nga e kaluara apo ai është shenja e parë e zgjimit të ri botëror të fundamentalizmit?” Natyrisht, ekzistojnë përgjigje që pranohen më së shpeshti, siç është ajo e sociologut gjerman, Hajne – Gynter Shtobe, “se aty nuk bëhet fjalë për një luftë të vërtetë religjioze, madje as për konflikte etnike a nacionale në kuptimin rigoroz të këtyre nocioneve”, e përgatiti materialin Slobodan Reliç nga Banja Luka.
Besojmë se për lexuesin do të jetë me interes konstatimi i Shtobes se stërtheksimi i dimensionit religjioz në luftën në ish-Jugosllavinë është “rezultat i një propagande të vetëdijshme me qëllim të fshehjes së thelbit të njëmendtë të konfliktit”, i cili përbëhet nga tre komponentë. I pari është i ndërlidhur me pasojat e përgjithshme kulturore të sundimit komunist dhe shpërbërjes së tij të befasishme… Komponenti i dytë ka të bëjë me barrën shoqërore-ekonomike të trashëguar, e cila presupozon kushte katastrofale në industri, nivelin fatal të papunësisë. Komponenti i tretë ka të bëjë me synimin drejt pavarësisë nacionale dhe, lidhur me këtë, me një kompleks të tërë problemesh rreth pakicave”.
Një interpretim i këtillë i kontekstit, pikëvështrimi përgjithësues, si dhe zhvillimi i pasluftës i ngjarjeve, i cili i zbulon disa aspekte nacionale-qytetare-fetare deri atëherë të panjohura të konfliktit në Bosnjë e Hercegovinë, gjithsesi nuk do të arrijë t’i ndryshojë pasojat. Kështu, është e qartë që RS si entitet në BH është një territor ku tani kryesisht jeton një popullsi ortodokse, si dhe që entiteti tjetër, edhe pse pa kufij të definuar, është një territor regjionesh më të mëdha a më të vogla të ndara në mënyrë rigoroze dhe “tepër të pastra” në pikëpamje religjioze. Plani i aksionit që kjo gjendje të ndryshojë ka dhënë rezultate tepër të papërfillshme në shtatë vjetët e pasluftës.
Kushtetuta e RS në nenin 28 e garanton lirinë e besimit. Sipas Kushtetutës, komunitetet fetare janë të barabarta para ligjit, të lira në kryerjen e punëve dhe ceremonive fetare, mund të themelojnë shkolla fetare dhe të zhvillojnë mësim feje në të gjitha shkollat dhe në të gjitha nivelet e arsimit, të merren me aktivitete ekonomike dhe të tjera, të marrin dhurata, të krijojnë fondacione dhe t’i drejtojnë ato në pajtim me ligjin. Mirëpo, teksti kushtetues e veçon Kishën Ortodokse Serbe, kështu që në pikën tre të të njëjtit nen, ajo shpallet si ‘kishë e popullit serb dhe popujve të tjerë të besimit ortodoks’. Nga një pozitë e tillë kushtetuese, atypëraty ka buruar obligimi i shtetit që ta ndihmojë materialisht kishën ortodokse, ‘duke bashkëpunuar me të në të gjitha fushat, e posaçërisht për ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e vlerave kulturore, tradicionale dhe vlerave të tjera shpirtërore’ (pika 4). Në këtë mënyrë, Kushtetuta e RS e ka vënë Kishën Ortodokse Serbe gati në pozitën e kishës shtetërore, me çka krijohet faktikisht pabarazia midis komuniteteve fetare.
Një pozitë e këtillë kushtetuese e KOS ishte një nga arsyet që e shtynë Alia Izetbegoviçin që, si kryesues i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës (BH), të iniconte para Gjykatës Kushtetuese procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë edhe të kësaj pike të Kushtetutës së RS.
Përcaktimi kushtetues për ‘barazinë e komuniteteve fetare para ligjit’ daton që nga dhjetori i vitit 1992, pra nga koha kur kishin marrë hov operacionet luftarake në hapësirën e BH. Gjatë gjithë luftës, prelatët e KOS do të jenë në prehun e politikanëve, duke zënë vendet e para në të gjitha sesionet e kuvendit. Në atë kohë askush nuk ka mundur të ulet në kolltukun e funksionarit nëse nuk e ka dhënë betimin para nëpunësve religjiozë. Nga ky obligim nuk ishin të përjashtuar as gjykatësit.
Ajo që po ndodh sot është pasojë logjike e gjendjes së krijuar në atë kohë. Kur pushteti ekzekutiv i RS, sot, deklaron se ka rindërtuar mbi njëqind tempuj, ndërsa “presin të rindërtohen rreth 150 objekte fetare të rrënuara në veprimet luftarake dhe rreth 140 tempuj që janë dëmtuar”, në të vërtetë, bëhet fjalë vetëm për faltoret ortodokse, ndërsa nuk e merr në konsideratë faktin që në BH gjatë luftës janë rrënuar rreth 700 objekte fetare, të cilat ishin në pronësi të Kishës Katolike, dhe rreth një mijë objekte fetare të Komunitetit Islam. Meqenëse, besimi në kohë dhe situata të tilla është më shumë se sigurimi “i nivelit më të lartë të të drejtave të njeriut të pranuara ndërkombëtarisht dhe lirive themelore” (sipas Kushtetutës së BH), atëherë duhet të pranohet se jetohet me reagimet jo aq të papritura të popullatës lokale ndaj rindërtimit të objekteve religjioze, të cilat para lufte ishin pjesë përbërëse edhe e trashëgimisë së tyre kulturore. Shembuj klasikë janë rindërtimi i xhamive të vjetra në Banja Luka dhe Trebinje.
Tani, parimi juridik në fuqi premton shumë dhe i lexuar në Kushtetutën e BH tingëllon madhështor: “Të drejtat dhe liritë të parapara me Konventën Evropiane për mbrojtje e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, dhe me Protokollet e tyre zbatohen drejtpërdrejt në BH dhe kanë përparësi ndaj të gjitha ligjeve të tjera”. Mirëpo, jeta është shumë më komplekse, prandaj do të thuhet “se nuk do të ishte një gjë normale të vendoset gurthemeli për ndërtimin e xhamisë Ferhadia, ndërsa të mos vendoset njëkohësisht gurthemeli për ndërtimin e Katedrales ortodokse në pjesën boshnjake të Mostarit dhe gurthemelin për rindërtimin e manastirit Zhitomisliçi në pjesën kroate të Federatës BH”.
Është paradoksale, që një dëshirë të tillë dhe të shtruar, ashtu vendosmërisht RS nuk mund ta realizojë financiarisht (ndërsa pushteti i Federatës, natyrisht, nuk do ta ndërmerrte një hap të tillë pa nevojë të madhe dhe pa presion nga jashtë), prandaj duhet pritur donacione nga jashtë, siç janë ato të Qeverisë gjermane, e cila për rikonstruktimin e kishës ortodokse në Mostar ka dhënë 250 mijë marka. Ose, ashtu si e ka rindërtuar Qeveria e Greqisë, para dy vjetësh me rastin e jubileut të përvjetorit të 780 të KOS në BH, “tempullin e Lindjes së të Shenjtes Virgjëreshë” (në Sarajevë).
Akuzat e ndërsjella të komuniteteve fetare që datojnë nga lufta ende nuk janë tejkaluar, përkundër takimeve të kohëpaskohshme pak a shumë për kortezi të krerëve lokalë. KOS, fjala vjen, është akuzuar “jo vetëm për heshtjen e krimeve serbe të luftës, por edhe për bekimin e ushtrisë serbe dhe mbështetjen e hapur të operacioneve kundër myslimanëve” (Norman Cigar: “Gjenocidi në Bosnjë – politika e ‘pastrimit etnik'”).
Ka patur edhe dëshmi të ndryshme për pohime të tilla, që nga fotografia e një murgu me mitraloz në krah, pastaj citate nga publikimi i Patrikanës Serbe “Ortodoksia”, gjer te citimi i deklaratave të patriarkut Pavle. Autori i librit të përmendur më lart e citon rrëfimin e tij para gazetares së “Vanity Fair”: “Bijë, më tha duke rrudhur krahët dhe me duar të hapura, nëse më pyesni se a duhet që serbët në Bosnjë të heqin dorë nga të gjithat që kanë bërë gjatë jetës së tyre atje, çka mund t’ju them unë? A mendoj që vrasja është një gjë e gabueshme. Natyrisht! Por, a mendoj unë që njeriu i ndershëm duhet t’u dorëzohet sulmuesve? Nëse kjo është zgjedhja, atëherë më duhet t’jua them se edhe unë do të detyrohesha të jem si politikanët, të cilët mendojnë se serbët duhet të luftojnë, tani si kurrë më parë, për ta shpëtuar jo vetëm kishën, por edhe vetveten”.
Patriarku serb, Pavle, edhe nuk është personaliteti më i duhur për t’i bazuar akuzat për sjellje jo të krishterë. Është e vërtetë, natyrisht, që disa njerëz të Kishës kanë ndihmuar me autoritetin e tyre që, në periudhën e paraluftës dhe gjatë luftës, të (keq)përdoren mitet nacionale të serbëve, para së gjithash ai kosovar. Përmasat e kësaj dukurie janë matur me kute të ndryshme dhe janë interpretuar në mënyra të ndryshme: nga akuzat ekstreme gjer te mohimi i plotë.
Edhe përfundimin e kësaj lufte kisha serbe e ka pritur me humbje të rënda. Përllogaritja e drejtorit të Muzeut të KOS në Beograd, Sllobodan Milleusniç, tregon se në perëndim të lumit Drina janë “rrënuar 212 kisha dhe janë dëmtuar 376 të tjera”: janë asgjësuar galeri të tëra me ikona mbi ikonostase, veprat e ikonografëve dhe piktorëve më të njohur nga shekulli XIV deri në shekullin XX…., arrihet te shuma prej më shumë se 7000 ikona të asgjësuara. Kaq vepra figurative të shkatërruara përfaqësojnë për çdo popull një katastrofë nacionale”.
Ndërsa, lidhur me raportin ndaj simbolikës religjioze në këtë luftë flet edhe fakti që në BH nga pesë rezidenca të peshkopateve ortodokse (e Banja Lukës, e Bihaqit-Petrovcit, e Zahumles-Hercegovinës, ajo Dabroboshnjake dhe e Zvornikut-Tuzlës) “janë rrënuar ose dëmtuar rezidencat peshkopale në Mostar, Sarajevë dhe Tuzla”.
Si pasojë e ndjenjës së rrezikimit të drejtpërdrejtë KOS në Republikën Serbe ka qenë në një pozitë të veçantë, mjaft të ndryshëm edhe në raport me pozitën e KOS në shtetin amë, RF të Jugosllavisë. Mësimi i fesë, që vetëm tani po futet në Serbi, është i pranishëm me vite të tëra në shkollat e RS. Administrata e RS ka një prirje shumë më pozitive ndaj kontesteve pronësore-juridike. Fjala e kishës, rëndom e shqiptuar nëpërmjet Këshillit Peshkopal të peshkopëve nga RS dhe Unioni i BH, ka një peshë specifike të rëndësishme dhe atë askush, që është i detyruar t’i përcjellë reaksionet e opinionit publik në RS, nuk mund ta injorojë.
*****
NE SHENJE TE DUALIZMIT
Mali i Zi
Mali i Zi e ka një traditë dhe përvojë të gjatë dhe të pasur të tolerancës ndërkonfesionale. Ajo sot është deri në një masë e çrregulluar vetëm me mosmarrëveshjet midis Kishës Ortodokse Malazeze dhe asaj Serbe
Qytetarët e besimit ortodoks, komunitetit më të madh religjioz në Malin e Zi, u përkasin jo vetëm dy kombeve, por edhe dy kishave. Një pjesë e malazezëve, si komb shumicë, tash e gati dhjetë vjet ritet fetare i bën në Kishën Ortodokse Malazeze të ripërtërirë, ndërsa pjesa tjetër, bashkë me serbët, janë ithtarë të Kishës Ortodokse Serbe. Një dualizëm i këtillë i kishave dhe besimtarëve ortodoksë, në një shtet me rreth 700.000 banorë, do të mund të trajtohej si një veçanti interesante e jetës religjioze të Malit të Zi. Vetëm se, ky tipar manifestohet njëkohësisht edhe si rrezikim i të drejtave themelore të njeriut të malazezëve ortodoksë dhe si një problem serioz në skenën politike malazeze. Vetëm një e dhënë për ilustrim fillestar: gjithnjë gjer në vitin 1995 në kishat nën kontrollin e Kishës Ortodokse Serbe nuk ishte e lejuar që në rubrikën “kombësia” të shënohej dispozita – malazez!, citohet Veselko Koprivica nga Podgorica që e ka përgatitur këtë speciale për Malin e Zi.
Ndërkaq, me përkatësi fetare ortodokse (malazezë dhe serbë) janë rreth 72 për qind e qytetarëve malazezë, pjesëtarë të konfesionit islam (myslimanë dhe shqiptarë) janë rreth 17 për qind, ndërsa katolikët (shqiptarë dhe kroatë) përbëjnë rreth 4.5 për qind. Kjo nuk do të thotë se të gjithë ata janë besimtarë. Sipas disa hulumtimeve sociologjike më të hershme, Mali i Zi ka patur në ish-Jugosllavinë përqindjen më të vogël të qytetarëve religjiozë. Me rënien e komunizmit, numri i tyre, gjykuar në bazë të ritualeve fetare siç janë pagëzimet, festat dhe shkuarja në kishë, është rritur me shpejtësi, posaçërisht te popullata ortodokse. Mirëpo, edhe kjo pasi që fillimisht ishte “in” u bë më vonë gjithnjë e më pak një çështje mode dhe e një “ndjeshmërie të re”.
Na bazë të përcaktimit të nenit 12 të Kushtetutës së Republikës së Malit të Zi, të gjitha konfesionet (kisha ortodokse, bashkësia islame, kisha katolike romane dhe të tjerat, ndërsa sipas të dhënave të Entit Republikan për Statistikën janë të regjistruara rreth dyzetë organizata religjioze) janë të ndara nga shteti dhe janë të barabarta dhe të lira në kryerjen e ritualeve dhe aktiviteteve fetare. Shteti mund t’i ndihmojë ato vetëm materialisht. Sipas nenit 34, Mali i Zi është një shtet demokratik dhe republikë, çka do të thotë se nuk është një shtet teokratik dhe një ndër të drejtat elementare të çdo qytetari është që në mënyrë të lirë, publike a private, ta ushtrojë besimin e vet religjioz.
Pra, sipas Kushtetutës, në Mal të Zi nuk ka kishë shtetërore. Në opinion ende nuk është dëgjuar ndonjëherë që ndaj këtyre dhe akteve të tjera ligjore, me të cilat rregullohet mënyra e themelimit, veprimit dhe pozita e komuniteteve fetare, të kenë paraqitur vërejtje përfaqësuesit e cilësdo qoftë organizatë religjioze, me përjashtim të ithtarëve të Kishës Ortodokse Malazeze, pra të malazezëve.
Për ç’arsye janë ata të pakënaqur? Malazezët, të cilët sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1991 përbëjnë 61.86 për qind (myslimanët 14.57, serbët 9.34, shqiptarët 6.57 dhe rreth 1 për qind kroatë), janë të pabarabartë në raport me pjesëtarët e kombeve dhe konfesioneve të tjera kur është fjala për të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit religjioz, konkretisht në Kishën Malazeze të tyre. Rrënjët e kësaj çështjeje datojnë që nga dhjetëvjetëshat e parë të shekullit të kaluar. Kisha Ortodokse Malazeze, e cila e ka një histori shumëshekullore, është shpërndarë në vitin 1920 me dekretin e regjentit të Mbretërisë SKS, Aleksandër Karagjorgjeviqit. Atëbotë Kisha Ortodokse Serbe u bë kishë zyrtare në Mal të Zi, duke i përvetësuar rreth 650 kisha, manastire dhe prona të Kishës Malazeze. Me rënien e pushtetit komunist, krahas rezistencave të mëdha të Kishës Serbe, të cilën e ka favorizuar edhe pushteti i ri malazez, Kisha Ortodokse Malazeze është ripërtërirë në vitin 1991 me iniciativën e ithtarëve dhe aderuesve të saj. Që nga ajo kohë e gjer më sot ajo po lufton për ta zgjidhur statusin e saj, mu ashtu siç po përpiqet edhe Mali i Zi për ta zgjidhur statusin shtetëror. Midis këtyre dy fenomeneve ekziston një korrelacion i ngushtë.
Priftërinjtë e KOM ceremonitë fetare i kryejnë kryesisht nën qiellin e hapur, sepse Kisha Serbe nuk dëshiron t’i kthejë tempujt e përvetësuar. Shteti i ndihmon financiarisht Kishën Serbe dhe atë Katolike, si dhe Bashkësinë Islame, por jo edhe Kishën Malazeze. Nga buxheti i Malit të Zi është financuar pjesërisht rikonstruksioni i katedralës së Shen Tripunit në Kotorr, ndërtimi i tempullit të Ringjalljes së Krishtit në Podgoricë, të cilin po e ndërton Kisha Serbe, si dhe të disa xhamive. Mirëpo, KOM është e vetmja kishë në Mal të Zi të cilës i japin donacione pjesëtarë të të tri konfesioneve – ortodokse, katolike dhe islame – edhe në Mal të Zi edhe jashtë.
Mali i Zi, ndërkaq, ka një traditë dhe përvojë të pasur dhe të gjatë të tolerancës konfesionale e nacionale. Në ekspozimin tradicional të kryqit të shën Vlladimirit para një kishe jo larg Tivarit edhe sot marrin pjesë ortodoksë, katolikë dhe myslimanë. Ose, në ky kisha të Tivarit ekzistojnë nga dy altarë – njëri për katolikët, tjetri për ortodoksët. Kisha Ortodokse Malazeze e ripërtërirë e ndjek këtë traditë duke kultivuar marrëdhëniet shembullore me fretërit dhe besimtarët e Kishës Katolike dhe Bashkësisë Islame. Krerët e tyre mund të shihen bashkë në të gjitha tubimet e rëndësishme, ku janë të pranishëm edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare, por jo edhe me kreun e Kishës Serbe.
Në të vërtetë, në Mal të Zi janë prishur marrëdhëniet vetëm midis Kishës Malazeze dhe asaj Serbe, kryesisht për shkak të pronave dhe për faktin që Kisha Serbe nuk e njeh Kishën Malazeze si kishë kanonike. Kisha Malazeze ka paralajmëruar që kontestin rreth tempujve do t’ia lërë gjykatës, respektivisht që do të kërkojë nga gjykata kthimin e ish-objekteve të veta sakrale. Lidhur me këtë i ka njoftuar edhe organizatat relevante ndërkombëtare, duke ua bërë me dije se statusi i pazgjidhur i Kishës Ortodokse Malazeze është shndërruar në një çështje politike të rëndësishme dhe delikate.
E gjithë kjo ka ndikuar edhe në thellimin e ndarjeve të vjetra nacionale e politike në Mal të Zi midis malazezëve dhe serbëve. I kanë nxitur në mënyrë të veçantë, dhe këtë e bëjnë edhe më tej kohë pas kohe, partitë politike dhe mediat proserbe, me mbështetjen logjistike të Beogradit zyrtar dhe Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Serbe. Disa herë, posaçërisht në kohën e zgjedhjeve dhe gjatë sulmeve të NATO-s kundër RFJ-së, situata konfliktuoze i afrohej pikës së vlimit dhe kërcënonte me rrezikun që edhe në Mal të Zi të shpërthenin trazirat dhe përleshjet qytetare. Mirëpo, durimi megjithatë i ka mbizotëruar pasionet.
Pushteti malazez nuk është i prirë ndaj Kishës Malazeze. Ndaj saj ka një raport diskriminues. Kështu, për shembull, asnjë nga ministrat e gjertanishëm për çështjet e feve në Qeverinë e Malit të Zi, edhe pse ata sipas ligjit ishin ministra për të gjitha religjionet, nuk e ka njohur Kishën Malazeze. Tani më nuk ka ministra, sepse është shuar Ministria e feve, mirëpo edhe koordinatori për fetë në figurën e kryeministrit, Filip Vujanoviq, deklaron publikisht që për të Kisha Ortodokse Serbe ështe kishë e vetme kanonike në Mal të Zi.
“Duke e trajtuar Kishën Ortodokse Serbe si një lloj kishe shtetërore dhe të privilegjuar, Qeveria e Malit të Zi shkel ashtu më shumë nene të Kushtetutës – mbi ndarjen e konfesioneve religjioze nga shteti, mbi barazinë e konfesioneve, mbi lirinë e kryerjes së riteve dhe punëve religjioze, mbi lirinë e mendimit dhe bashkimit. Ajo, gjithashtu, shkel edhe një varg nenesh të dokumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat edhe Mali i Zi duhet t’i zbatojë, ka tërhequr para ca kohësh Sllobodan Franoviq, kryetar i Komitetit Malazez të Helsinkit. Mitropoliti i KOS, Amfillohije, ka patur një kohë marrëdhënie të afërta edhe me kryetarin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Mirëpo, ato marrëdhënie janë ftohur pas qëllimeve të deklaruara të Gjukanoviqit për mëvetësimin e Malit të Zi. Tani, mitropoliti Amfillohije është shumë i afërt me kryetarin e RFJ, Vojisllav Koshtunicën, i cili e mohon po ashtu ekzistencën e Kishës Ortodokse Malazeze.
Pushteti malazez nuk i kushton kujdes as dëmtimit të kishave dhe manastireve malazeze nga Kisha Serbe, madje as kur bëhet fjalë për monumente të rëndësishme kulturore-historike. Ato Kisha Ortodokse Serbe ia përshtat frymës së Shën Savës, çfarë ka shkaktuar protesta të besimtarëve, qytetarëve, organizatave joqeveritare. Pikërisht këto ditë, një OJQ nga Cetina ka dorëzuar një aktpadi pranë gjykatave kundër KOS për arsye të dëmtimit të autenticitetit të Kishës Vllahe, godinës më të vjetër në Cetinë dhe monumentit kulturor të parë të shpallur zyrtarisht në Mal të Zi. Është dëmtuar edhe autenticiteti i manastirit Ostrog, tempullit më të njohur malazez në botë, me ikonat e shenjtorëve serbë, të cilët kurrë më parë nuk kanë qenë atje. Edhe tempulli monumental i Ringjalljes së Krishtit në Podgoricë, i cili është në ndërtim e sipër dhe për të cilin ka dhënë një ndihmë të konsideruesme edhe Qeveria e Malit të Zi, po ashtu inkuadrohet plotësisht në ndërmarrjet ndërtimore të rikomponuara të Kishës Ortodokse Serbe.
Paralelisht më këtë, nga thesaret kishtare zhduken pa gjurmë panagitë me vlerë, ikonat, librat… Këto ditë (Pak kohë më parë) nga Manastiri Ostrog është zhdukur kryqi i argjendtë i rëndë dhjetë kilogramë, dhuratë e carit rus, Nikollaj.
Kisha Serbe po i përvetëson edhe objektet sakrale që, sipas dokumenteve historike, kanë qenë pronësi e konfesioneve të tjera. Për këtë arsye, ajo ka patur konflikte edhe me Kishën Katolike në Mal të Zi. KOS kështu dëshiron që ta zhvendosë në një të kaluar sa më të largët zanafillën e kishës së saj në hapësirat e Malit të Zi dhe ta sigurojë ashtu edhe një argument më shumë që malazezët janë serbë dhe që kurrë nuk e kanë pasur kishën e tyre të pavarur. Mbi këtë bazament, posaçërisht gjatë viteve të luftës, është intensifikuar propaganda rreth mitit mbi shenjtorin serb Savën dhe gjithpraninë e tij të përhershme në Mal të Zi, edhe pse dokumentet shkencore dëshmojnë se për të është dëgjuar për herë të parë në këto hapësira vetëm para 150 vjetëve. Njëkohësisht, Kisha Serbe e kishte filluar një kohë fushatën për futjen në shkolla të mësimit të fesë. Mirëpo, kjo ide nuk ka hasur në një truall të plleshëm dhe u shua vetvetiu. Një fat të tillë e pati edhe sforcimi i tepruar i temave religjioze në media. Ato janë tani të pranishme vetëm në mediat private proserbe, por edhe atje në një vëllim modest. Tanimë nuk janë në modë as kryqet rreth qafe dhe në makina, as blerja e ikonave dhe shenjave të tjera religjioze. Ashtu siç qe ngritur kjo valë me shpejtësi, ashtu edhe u fashit shpejt. Qytetarët malazezë po u kthehen përsëri dhe në masë problemeve të kësaj bote.