Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, u është përgjigjur akuzave, të Sali Berishës, Ilir Metës dhe eksponentëve të tjerë, sipas të cilave, SPAK-u vepronin mbi bazën e një agjende politike, dhe se ka grafik në hetimin e çështjeve të ndjeshme të personave me profil të lartë politik.
Dumani e ka bërë të qartë se nuk vepron me ngjyrime politike.
“Një pjesë të dosjeve i kam pasur në hetim edhe pa marrë drejtimin e SPAK-ut. Një nga premtimet që kam bërë në KLP ka qenë se do të vijoja të hetoja çështjet që kam pasur në hetim. Ka dhe çështje të tjera që kanë çuar në zgjerimin e grupit të hetimit. Të gjithë prokurorët dhe stafi kanë kontribute. Pavarësisht akuzave, kemi dhënë prova se nuk kemi agjendë politike, apo grafik se sot do hetojmë një person të këtij subjekti politik, e nesër dikë të një subjekti tjetër politik. Në merremi me provat. Këtë kemi bërë dhe do ta bëjmë. SPAK-u është i pavarur nga politika dhe këtë ja jep Kushtetuta dhe ligji. Prokurorët ushtrojnë funksionet e tyre të larguar nga politika. Reagimet e mija janë institucionale dhe jo emocionale. Kam kompetenca, por ato janë të reduktuara në raport me prokurorët e çështjeve”, tha Dumani në “RTSH”.
Ai ka treguar se si përgjatë 5 viteve nisi punën me shumë vështirësi për të mbërritur në ditët e sotme.
“Në dhjetor SPAK bën 5 vjet. Për publikun dhe për ju si media, ndoshta 5 vjet duken shumë, por realisht për një institucion janë shumë pak për të marrë formën që duhet, duke marrë në konsideratë edhe vështirësitë që kemi kaluar si institucion. Ne kemi filluar në 19 dhjetor 2019, kemi qenë vetëm 18 prokurorë, nuk kishim staf administrativ, nuk kishim madje as godinë, nuk bëhej fjalë të kishim mjete për t’i përdorur për hetimin. Nga ana tjetër kishim një fluks shumë të madh procedimesh penale. Trashëguam nga prokuroria e Krimeve të Rënda një numër relativisht të madh dosjesh. Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm shpallën moskompetencën dhe dërguan shumë dosje në Prokurorinë e Posaçme. Kemi kaluar shumë vështirësish, situata është ndryshe sot”, është shprehur Dumani.