Moti i keq, me reshje shiu dhe erë të fortë përgjatë 24 orëve të fundit ka shkaktuar një sërë problematikash në qarkun e Kukës. A2 CNN mëson se mungon energjia elektrike në disa fshatra të bashkisë Kukës, konkretisht në Njësitë Administrative, Shishtavec, Topojan, Zapod, Kolsh Surroj dhe Malzi. Në Bashkinë Has, pa energji janë Njësitë Administrative Golaj, Gjinaj. Në bashkinë Tropojë, Njësitë Administrative Lekbibaj, Bujan Llugaj, Bytyç Fierzë dhe Tropojë e Vjetër.
Sipas Komisionit të Mbrojtjes Civile si pasojë e reshjeve të shiut të gjitha akset nacionale rrugore kanë qenë nën trysninë e rënies së gurëve dhe inerteve duke krijuar vështirësi të përkohshme në qarkullimin normal të mjeteve në disa segmente rrugore.
Subjektet kontraktore gjatë gjithë kohës kanë vazhduar punën me të gjitha kapacitetet për mbajtjen funksionale të rrugëve që kanë në kontratë. Sipas KMC-së të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme dhe pa probleme.
Nga bashkia Kukës, Has dhe Tropojë, nuk ka raportime për ndonjë problematikë emergjente shëndetësore e sociale tek banorët. Por pavarësisht reshjeve të shiut nuk mund të flasim për përmirësimin e situatës hidrike në liqenin e Fierzës. Ka një shtim të prurjeve në 300 metra kub në sekondë, po pa ndikim në rritjen e nivelit të ujit të ujëmbledhësit më të madh të kaskadës së Drinit. Liqeni i Fierzës, ka një rënie me të paktën 7 metra, krahasuar me mesin e tetorit ku niveli ishte 269 metra ndonëse prurjet ishin minimale 40 metra kub në sekondë. Aktualisht sipas KESH niveli I ujit në liqenin e Fierzës është 262.35 metra. Hidrocentrali i Fierzës, nuk kanë në punë asnjë turbine, nga katër gjithsej, për prodhimin e energjisë elektrike. Për të plotësuar nevojat e konsumit në një kohë kur liqeni I Fierzës po shkon drejt zbrazjes së plotë, energjia elektrike po sigurohet nga hidrocentralet e tjera dhe importi i saj .
Situata aktuale me mungesë kaq të theksuar të sasisë se ujit në liqenin e Fierzës nuk është normale për periudhën aktuale në prag dimri, ku përgjithësisht reshjet e shiut janë të kufizuara ndërsa reshjet e dëborës me aq sasi që bien nuk ndikojnë në masë për të përmirësuar apo rritur në kuotat optimale nivelin e ujit në basenin më të madh ujëmbledhës.