Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar, të shoqëruara me erë të fortë në zonën veriore, duke sjellë rënie gurësh e inertesh. Kështu ka njoftuar Autoriteti Rrugor Shqiptar në një postim në Facebook, sipas të cilit në lartësinë mbi 1200 metra ka pasur reshje dëbore.
“Në Bogë-Theth dhe në Hani i Hotit-Tamarë në lartësinë mbi 1200m ka pasur reshje dëbore. Grupet e punës me mjetet borëpastruese janë në terren dhe bërë pastrimin e rrugës. Qarkullimi vijon normalisht në të gjitha akset”, njofton ARRSH, e cila u bën thirrje drejtuesve të mjeteve “të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit për shkak të lagështisë në rrugë”.
Sipas ARRSH në Qafën e Thores dhe Vermosh grupet e punës janë në terren me mjetet borëpastruese për ta mbajtur hapur dhe lehtësisht të kalueshëm këtë aks për banorët, por dhe për turistët alpinë që zgjedhin të vizitojnë këtë zonë turistike. Deri tani rruga është e hapur dhe qarkullimi kryhet pa probleme.