Deputetët e Partisë Socialiste dhe ata të opozitës kanë vijuar për të dytën ditë debatet në Komisionin Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, duke pamundësuar në këtë mënyrë dëshminë e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Edhe të mërkurën, Beqaj u soll në pranga nga qelia ku po qëndron në paraburgim me urdhër të SPAK, por për orë me radhë qëndroi jashtë sallës së punimeve të komisionit, duke mos u futur për të folur.
Një ditë më parë debatet ishin për kërkesën e Beqajt për të bërë një prezantim në “Power Point”, çka kundërshtohej nga demokratët, pasi sipas tyre duhet të bënte vetëm një deklaratë. Të mërkurën, debatet ishin rreth kërkesës së opozitës për të thërritur si dëshmitarë në komision kryeministrin Edi Rama dhe sipërmarrësen Vilma Nushi, e cila është aksionere kryesore në kompaninë që ka fituar koncesionin e check-up-it.
Mes debateve dhe akuzave të ashpra, demokratët mbanin në duar fotografi të Ramës dhe Nushit, ndërsa nënkryetari i komisionit, Plarent Ndreca, u shpërndau fletë kolegëve socialistë me mbishkrimin “Mos ki frikë nga e vërteta” dhe “Lëreni Beqjan të flasë”.
/a.r