Nga Shkodra në Korçë për vjedhje makinash, arrestohen
Është parandaluar vjedhja e një automjeti në lagjen nr.18 të qytetit të Korçës.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se lidhur me këtë ngjarje, u arrestuan në flagrancë duke hapur dyert e automjetit, 2 shtetas të moshës 33 dhe 30-vjeçare, banues në Shkodër.
Mjetet e përdorura nga këta shtetas për vjedhjen u sekuestruan në cilësinë e provës material, ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Korçë-Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandalon vjedhjen e një automjeti.
Vihen në pranga 2 shtetasit që u kapën në flagrancë, pas mesnate, duke hapur dyert e automjetit, me mjete të forta.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, pas marrjes së njoftimit se dy shtetas po tentonin të vidhnin një automjet, në lagjen nr.18, Korçë, kanë organizuar menjëherë punën në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, për kapjen e tyre.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kapën në flagrancë pas mesnate, duke tentuar të hapnin dyert e automjetit tip “Audi”, me mjete të forta, dhe u arrestuan shtetasit: E. M., 33 vjeç dhe E. Z., 30 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Mjetet e përdorura nga këta shtetas për vjedhjen u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.