Rënia e inflacionit në ekonomi vazhdon të ndikohet kryesisht nga çmimet e mallrave të importuara dhe kursi i këmbimit.
Në raportin e politikës monetare për tremujorin e fundit të vitit, Banka e Shqipërisë arrin në përfundimin se, në tërësi, presionet inflacioniste kanë ardhur në rënie, por kjo tendencë ka qenë ka qenë veçanërisht e shpejtë tek ato me burim nga jashtë. Reduktimi i inflacionit të importuar, sipas Bankës së Shqipërisë, është diktuar nga rënia e inflacionit në partnerët tregtarë, rënia e çmimeve të lëndëve bazë të ushqimeve dhe naftës, si dhe forcimi i mëtejshëm i kursit të këmbimit gjatë vitit 2024.
Inflacioni i çmimeve të konsumit regjistroi një nivel mesatar prej 2% gjatë tremujorit të tretë, duke shënuar një rënie të lehtë ndaj tremujorit paraardhës.
Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë vlerëson se rënia e presioneve të brendshme inflacioniste është nxitur nga normalizimi i qëndrimit të politikës monetare gjatë dy viteve të fundit, normalizim i cili ka mundësuar ankorimin e pritjeve për inflacionin, ka ndihmuar funksionimin normal të tregjeve financiare, si dhe ka ndikuar në reduktimin e pasigurive.
Në reflektim të tyre, inflacioni bazë dhe ai i brendshëm janë reduktuar nga nivelet e larta të dy viteve të fundit, por ky reduktim është më i ngadaltë se rënia e inflacionit të artikujve të importit. Në veçanti, Banka e Shqipërisë vlerëson edhe njëherë se inercia e lartë e inflacionit të brendshëm nxitet nga kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime dhe tregu i fortë i punës.
Sipas raportit, rreziqet ndaj inflacionit në afatin e shkurtër janë zhvendosur për poshtë, ndërsa në afatin e mesëm janë përgjithësisht të balancuara.
Një rënie e mëtejshme e çmimeve të mallrave bazë, një mbiçmim më i shpejtë i kursit të këmbimit, apo një zhvendosje për poshtë e pritjeve të agjentëve ekonomikë për inflacionin në të ardhmen, mund të sjellin një inflacion më të ulët se parashikimi. Por, nga ana tjetër, një rritje më e shpejtë ekonomike se parashikimi apo një transmetim më i fortë i rritjes së pagave në çmimet finale të produkteve të konsumit, mund ta shtyjnë inflacionin në kahun e sipërm të parashikimeve të Bankës Qendrore.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi javën e kaluar të ulë normën bazë të interesit nga 3% në 2.75%. Kjo ishte ulja e dytë e normës bazë për këtë vit, pas uljes së parë të vendosur në fillim të muajit korrik.
“Pritjet tona për të ardhmen nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme. Në skenarin bazë, ne presim një rritje të mëtejshme, të qëndrueshme e të vazhdueshme të aktivitetit ekonomik, të shoqëruar me rritje të punësimit e të pagave. Ritmi i rritjes ekonomike pritet të luhatet pranë potencialit në horizontin afatmesëm, duke mundësuar një shfrytëzim të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Paralelisht me të, inflacioni pritet të luhatet pranë niveleve aktuale gjatë tremujorit të fundit të vitit, dhe të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë vitit të ardhshëm. Balanca e rreziqeve rreth këtyre parashikimeve është përgjithësisht neutrale. Në veçanti, rreziqet mbi inflacionin janë të zhvendosura në kahun e poshtëm në afatin e shkurtër, në prani të vijimit të goditjeve pozitive të ofertës, por ato mbeten neutrale në afatin e mesëm,” tha në fjalën e tij Guvernatori, Gent Sejko./Monitor