Drejtoresha e Galerisë “GOCAT”, Ena Bulku, në një intervistë të çlirët, është ndalur në ekspozitën e veçantë që pritet të çelë sot (më 7 nëntor) në Galerinë “GOCAT” – “Pas murit ka mure të tjera” nga artisti nga Kosova Naim Spahiu.
E ftuar në programin “Wake Up”, Ena i konsideroi punimet e Spahiut si ideale për t’ia prezantuar artdashësve të kryeqytetit, për detajet shprehëse që mbartin, por mbi të gjitha për mesazhin që fshehin; për të parë përpara pa u ndalur nga forca magnetike e ngjarjeve nga e kaluara, siç është Lufta e Kosovës, migrimi masiv dhe jo vetëm.
Ekspozita ka plot 40 punë të artistit Naim Spahiu, të gjitha të ardhura në format instalativ. Ajo do të qëndrojë e hapur deri më 30 nëntor në Galerinë “GOCAT”.
Kjo galeri, vjen si dhuratë e Fondacionit Mane për komunitetin artistik. Vizitorët mund të shijojnë falas çdo ekspozitë dhe po ashtu, edhe artistët të cilët duan të promovojnë punët e tyre, e kanë pa pagesë hapësirën.