Deputetja Erisa Xhixho, njëherësh zv.Presidente e Partisë së Lirisë, ka kërkuar nga foltorja e Kuvendit emrat e të gjithë policëve që ekzekutuan urdhrin për arrestimin e Presidentit të PL-së Ilir Meta.
Në rast se kjo përgjigje nuk i vjen Partisë së Lirisë, Xhixho paralajmëroi kallëzim penal.
Deputetja ju drejtuar Ministrit të Brendshëm duke e akuzuar se ka urdhëruar policët me maska e pa mjete identifikimi që të arrestojnë në mënyrë ç’njerëzore ish-presidentin e ish-kryeministrin e vendit, Ilir Meta.
“Trajtim çnjerëzor, denigrues që I keni bërë ish-presidentit Meta, ish-kryetarit të Kuvendit, ish-kryeministrit të vendit me urdhër të Ramës. Ju jeni përgjegjës për trajtimin ç’njerëzor të një personi që nuk i është shmangur në asnjë moment drejtësisë. Ju keni shkelur Kushtetutën e vendit kur ata policë me maska pa mjete identifikimi duhet t’i thoni atij si çdo qytetari: vendimin e gjykatës dhe shkakun e arrestit; të drejtat kushtetuese; të drejtën për avokat. Këtë nuk e ka thjesht z. Meta por çdo qytetar. Ju keni urdhëruar policët me maska pa mjete ID të bëjnë atë trajtim. Ju kemi dërguar një kërkesë për informacion dhe nëse nuk i jeni përgjigjur ende, po ju përsëris kërkesat tona: Emrat e gjithë atyre policëve me kapuç që kanë kryer atë pengmarrje politike; kush ka urdhëruar dhe udhëhequr këtë operacion kriminal. Sot është data finale kur kemi kërkuar këtë informacion. Nëse nuk ktheni përgjigje përgatituni për kallëzim penal”, deklaroi Xhixho.
/a.r