Nga Bajram Peçi
“Vorio Epiri është një term i vdekur…” , ishte gjetja e përsosur, që Rama përdori në përgjegje për “fantazmat e të kaluarës” në takimin me komunitetin shqiptar në qytetin e Selanikut. Këto fantazma shfaqen jo vetëm me ekstremistë grekë e me fletushka antishqiptare, por shfaqen herë pas here në kohë zgjedhjesh, deri te përfaqësues të lartë.
Ministria e Jashtme e Greqisë nuk vonoi të reagoj, duke vënë në pah se kërkon respektim të të drejtave të minoritetit etnik grek në Shqipëri, si kusht për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Është e drejta e tyre ta vënë në dukje, por kurrë, deri tani, nuk kanë dhënë një provë se çfarë të drejtash Shqipëria i ka mohuar këtij komuniteti, përfshirë dhe qendrimin ndaj pronës, që nuk ndryshon sjellje si për çdo shqiptar dikur me tokë, që ju nënshtrua ligjit 7501.
“Historia midis dy vendeve nuk ndryshon”, reagoi Ministria e Jashtme në përgjigje të deklaratave të Ramës, e shoqëruar më pas me komente nga zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis, se ”…Epiri i Veriut mund të mos ekzistojë për zotin Rama, por besoj se është e vetëkuptueshme që në Shqipëri jeton minoriteti etnik grek me të drejtat e tij…Rruga e Shqipërisë drejt Europës kalon nga Athina”. S’na mbetet përpos se t’i falënderojmë që na e kujtojnë këtë që prej 30 vjetësh, nga viti i parë kur kemi aplikuar.
Në një faqe Facebook-u, me profil histori, dikush jepte versionin e tij pse Aleksandri i Madh i Maqedonisë shënon udhëheqësin e parë që nuk mban mjekër? Ndjeksit grekë të këtij statusi e kishim mbuluar postimin me simbole, ku emoji zemrash e flamuri grek binin si breshër, të shoqëruara me thurrje himnesh për Greqinë. Kuturisa dhe unë, kur gjeta kohën, të vija një shënim të shkurtër: Aleksandri ka qenë trako-ilir, nuk ka qenë grek, nuk ka qenë helen!
Nuk vonoi që të shfaqej e fyer një lukuni komentuesish grekë, megallomanë të thekur, për këtë “shpifje”, sipas tyre, që u kish vrarë krenarinë. Shumëkush e vuri dinjtetin e cënuar në vend, vetem pasi më shpalli injorant. Njerëzit turpërohen jo për të sharat që japin, por për ato që marrin, ndaj, për të mos më brejtur ndërgjegja që padrejtësisht ua kisha mohuar grekëve këtë bir të shquar “helen”, shfletova edhe njëherë tekste të historisë. Jo ato që bëjnë grekët për atë periudhë, por ato që të tjerët bëjnë për Greqinë dhe periudhën helene, ato të Europës së qyetëruar e që i ligjërojnë ndër universitetet e tyre.
Ja, shkurtimisht të citura disa të vërteta:
Historiani Karl Grimberg: “Grekët nuk i njihnin maqedonasit si helenë, por si barbarë”; …Maqedonasit nuk pranoheshin kurrë në Lojrat Olimpike se ishin të huaj, barbarë”;…“Olimpia ishte një princeshë e Epirit, me të njejtin gjak të shqiptarëve të sotëm”. (“Historia Botërore dhe Qytetërimi”, botimi shqip-2003, Uegen, V.II, faqe 170-172).
Gërmoj më tej në kronikat dhe gjej se Filipi II-të i Maqedonisë, babai i Aleksandrit, ishte martuar me Audatën, stërmbesë e mbretit Ilir, Bardhyli i Dardanisë; se nëna e Aleksandrit, Olimpia, ishte bijë mbreti e një fisi ilir, ku ai kaloi një pjesë kohe të rinisë së tij.
Nëse këto të dhëna nuk do ishim mjafttueshëm, shfletoj më tej kronikat, që na sjellin oratorin e parë të kohës së tij, Demostenin, “…i cili përdori gjithë gojtarinë për t’i paralajmëruar bashkëatdhetarët athinas nga barbarët maqedonas”. U shpjegoi athinasve dhe grekeve, ditë pas dita në Agora, rrezikun që u vinte nga Filipi i II-të dhe maqedonasit, fqinjë të veriut. Fjalimet e predikimet e tij të famshme kundër barbarëve të veriut, siç i quante Maqedonasit, historia i emërtoi të njihen si “Filipiket”, emërtim që trashëgohet ende nga qytetërimi, kur tregohet e flitet për një pretencë politike të pasionuar.
Gadishulli i Trakës dhe Pella, me kohë e nën Bizantin u helenizuan, lavdia e tyre në inkursionet drejt Lindjes hynë në tekstet e tyre të historisë të pas 1850-tës të hipotekuara si greke, por heroit të falangave, Aleksandrit të Madh, nuk ja hoqën dot cilësimin “…i Maqedonisë”.
50 vjet para se Greqia të shpallte pavarësinë nga Turqia, historiani Johann Erich Thunmann, ligjeruesi në universitetin Hall, studiuesi e shkencëtari i parë, i cili na quajti ilirë, shkruan për Maqedoninë se: Masa e popullsisë ishte ilire dhe thrake. Dassaretae, Lyncestae, Bryges ose Frygians, Pelagones, The Eordi, Elimiotes, Atintanes, banorët e rajonit rreth Candavia, Pella, Edessa dhe Verva të gjitha janë përmendur shprehimisht si Iliri…”.
Askush ndër historianët Grekë nuk është gjetur që të jetë ankuar për gjykimin e vet. Ngjashëm si me Maqedonasit rrjedh edhe llogjika e tyre për Epirin, e populluar në shumicë me popull shqiptar, madje që e quanin veten Epirotë. Në këtë artikull nuk ndriçohen dot shekujt shqiptarë të asaj treve, por herë pas here duhet ta vëmë në dukje për t’u ulur hundët krenarisë së historianëve të Greqisë, së bashku me kishën ortodokse greke, që në ëndrrat e tyre vazhdojnë ta shohin historinë e Epirit shqiptar si letërsi romantike.
Historiografia helene e ndodhur nën pushtetin e miteve, e të dogmave fetare, nuk e çliron dot veten nga ëndrrat dhe krenaria boshe. Është e habitshme se si fqinjët tanë, sot e mot, nuk shkëputen nga qëllimet, tashmë të vdekura, por qëndrojnë në vendnumëro! Një
Legjendë si Manolis Glezos, ua tha në Parlament neonazistëve grekë, të “Agimit të Artë”, … Nuk kanë kuptuar ende se jemi dy popuj që jetojnë njëri pranë tjetrit. Kështu, popullin fqinj nuk mund ta dëbosh. Fëmijën tënd mund ta përzësh nga shtëpia. Nga shtëpia e babait mund të largohesh. Bashkëshorten mund ta ndash, por popullin fqinj nuk mund ta ndash. Duhet të kemi mirëkuptim, paqe dhe solidaritet midis nesh që të bashkëjetojmë”.