Aksioni i SPAK, për të goditur të korruptuarit në radhët e politikës do të vijojë, ndërsa pritet që pas arrestimit të kreut të PL Ilir Meta të ketë edhe arrestime të tjera.
Ka qenë kjo deklarata e fortë e ish-deputetit të PD, Azgan Haklaj, i cili ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Studio Live’, në Report Tv, ku ndër të tjera u shpreh se brenda këtij viti në pranga do të bien edhe zyrtarë të niveleve të larta.
“Janë dhjetëra deri në qindra fletë-arreste, ku janë politikan e zyrtarë. 10 zyrtar janë të lartë, ka deputet, ministra. Janë si majtas dhe djathtas, ora e drejtësisë po troket. Do kemi zyrtarë të niveleve më të larta që do të shkojnë në pranga, brenda këtij viti”, tha ai.
Teksa foli për arrestimin e Ilir Metës, ai u shpreh se kreu i PL, e kishte marr njoftimin më parë që do të arrestohej.
Hakaj u shpreh se i bëjnë përshtypje akuzat e Berishës se Meta është rrëmbyer, ku sipas tij Berisha e ka rrëmbyer Metën në vitin 2000.
“Meta e kishte njoftimin që do te arrestohej, por ajo që është çudia më e madhe është Berisha që hedh akuza se Meta është rrëmbyer, kur në fakt Meta e ka rrëmbyer Berishën në vitin 2000, në mënyrë të dhunshme dhe duke u torturuar nga Tropoja në Tiranë dhe pjesë e forcave që e arrestuan kanë qenë edhe njerëz që nuk kanë qenë fare pjesë e forcave të policisë për të arrestuar”, tha ai.
Haklaj theksoi se Meta ishte duke kërkuar azil politik në mënyrë që ti shmangej drejtësisë.
“Meta do të shkonte në azil politik, dhe do të shkonte kudo, në çdo vend vetëm që të shpëtonte. Tani do të ketë edhe goditje të tjera”, tha ai.