Pasaportat apo kartat e identitetit të skaduara nuk do jenë pengesë për regjistrimin e emigrantëve të cilët duan të marrin pjesë në zgjedhjet e pranverës.
Formula e konsensusit u arrit pas tërheqjes së draftit të komisionerit Ilirjan Celibashi, ku përcaktohej se për t’u regjistruar si votues nga jashtë duhej të kishe një dokument identifikimi të vlefshëm.
Komisioni Rregullator votoi propozimin e dy anëtarëve të zgjedhur nga opozita, Muharrem Çakaj dhe Helga Vukaj, të cilët kërkuan që pasaportat e skaduara të pranohen në fazën e regjistrimin me kushtin që deri ditën e votimit t’i kenë rinovuar dokumentet e identitetit.
Ilirjana Nano lexon propozimin e ri: Zgjedhësi paraqet kërkesë për tu regjistruar në listën e zgjedhësve nga jashtë, nëpërmjet llogarisë së tij të krijuar në PER, duke ndjekur këto hapa: Skanon përmes PER një dokument identifikimi të lëshuar nga Republika e Shqipërisë, pasaportë për jashtë shtetit, ose letërnjoftim.
Pas regjistrimit online në platformën online të krijuar nga KQZ si votues nga jashtë, emigrantët do të çregjistrohen nga lista e zgjedhësve në Shqipëri, por drafti i dakordësuar edhe me partitë politike parashikon që emigrantët, të cilët nuk arrijnë të rinovojnë dokumentet e identifikimit në kohë, apo për arsye të tjera nuk votojnë dot nga jashtë, ata mund të kërkojnë ripërfshirjen në listën e zgjedhësve në Shqipëri për të pasur mundësinë që të votojë në parlamentarët e 2025 në atdhe.
/a.r